Në një atmosferë të ngrohtë dhe miqësore, gazetari durrsak Gëzim Kabashi promovoi mbrëmjen e së mërkurës librin e tij të parë “Me artistët e qytetit”. 50 portrete artistësh, por edhe mjeshtërish durrsakë në një libër të vetëm.
Ky libër i parë i Kabashit është fryt i një pune të shtrirë në 2 dekada, ku personazhe të njohur të jetës kulturore të Durrësit, Shijakut e Kavajës krijojnë një ansambël të bukur vlerash dhe historish njerëzore.
“I shkruar me një shkrim gazetaresk, shkrimet sjellin informacione të vyera për shumë artistë, shumë prej të cilëve evidentohen edhe në referencat që përdor autori, që ndërthuren në mënyrë elegante në shkrime”,– tha ndër të tjera bibliografia Teuta Dhima.
Gjatë mbrëmjes letrare, miq të Kabashit por edhe personazhe, që ai i ka përfshirë në librin e tij, sollën mes të pranishmëve disa nga konsideratat e tyre për librin, por edhe punën e gazetarit të njohur.
“Kur e merr këtë libër në dorë dhe e shfleton, të duket vetja sikur futesh në një galeri të madhe të artit”,– tha aktorja Aishe Stari, portreti dedikuar të cilës hap edhe librin e Kabashit.
“Gëzim Kabashi është njeri i punës, i palodhur, këmbëngulës. Ai është serioz, sistematik dhe kërkues ndaj vetes, po aq edhe ndaj kolegëve me të cilët punon”,- tha operatori Astrit Tahiri, mik dhe bashkëpunëtor prej vitesh i Kabashit.
“Për mua ky libër është një kontribut shumë i bukur, sidomos për një plejadë personazhesh të rëndësishëm, të cilët janë përpjekur me mundime dhe sakrifica, por edhe shumë pasion të lënë gjurmë në historinë e qytetit”,- tha regjisorja e njohur Driada Dervishi.
Krahas personaliteteve të artit e kulturës, si Gjergj Vlashi, Aishe Stari, Zihni Beqiraj etj, në faqet e këtij libri vend zënë vend edhe shumë figura të lidhura ngushtësisht me artin apo artizanatin si Tristan Sherifi, Emjona Stasi, Ahmet Lila e shumë të tjerë.
Një vëmendje të shtuar për Kabashin, marrin edhe ata që sapo kanë nisur të hedhin hapat e parë të sigurt në botën e artit në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar, të tillë si Viola Gjyzeli, 13-vjeçarja që do të na përfaqësojë në Eurovision Junior, që do të mbahet në Nice (Francë) më 26 nëntor apo Erli Lila, 21-vjeçari, që së bashku me dy muzikantë të tjerë, një italian dhe një slloven kanë kompozuar operën “1991, viti i Aurorës”, etj.
50 personazhe nuk janë pak, por nuk janë as shumë. E jo më kot Gëzim Kabashi ka nisur të mendojë për vëllimin e dytë.
M.B.