Salvatore Bartoli është emri i 50-vjeçarit italian i cili në diellin përcëllues të korrikut, ka marrë përsipër një mision gati të pabesueshëm dhe ia ka dalë me sukses. Bartoli, i cili është filmuar gjatë së shtunës në bregdetin e Palasës në Himarë, siç është shprehur në videon e mëposhtme për Anabel.al, ka udhëtuar i vetëm me kajakun e tij, nga Palermo drejt brigjeve të Shqipërisë Jugore dhe ndodhej në det prej 15 ditësh.

Por Bartoli, i cili jeton në Palermo, nuk është një emër i panjohur në vendin e tij. Ai njihet në Itali për udhëtimet e tij fenomenale, që kanë në thelb, respektin për natyrën dhe promovojnë kulturën 3R: ripërdor, redukto, riciklo. Vetëm 4 vite më parë, ai ka udhëtuar me kajak për 2.300 kilometra, nga Spliti në Kroaci drejt Mesinës në Itali. 50 vjeçari gjithashtu ka udhëtuar edhe nga Korfuzi drejt Turqisë etj.

Bartoli për udhëtimin e tij, është pajisur vetëm me pak gjëra të domosdoshme si uji dhe çadra, të cilën e hap kur lodhet nga lundrimi dhe i duhet të pushojë. Ndërkohë, përsa i përket ushqimit, ai shprehet se ha ç’të mundet e madje edhe peshkon në bordin e kajakut të tij. Bartoli është shprehur se ai ndërmerr çdo vit udhëtime të tilla, kryesisht në verë, por edhe në dimër.