Kombëtarja kuqezi duket se do të jetë e braktisur nga tifozët në ndeshjen ndaj Lihtenshtejnit. Pavarësisht publicitetit të madh që i ka bërë FSHF-ja kësaj ndeshjeje, mësohet se janë shitur vetëm 450-500 bileta. Shumë, shumë pak.
Megjithatë, kjo situatë e ka një shkak. Janë vetë “Tifozët Kuq e Zi”, ata që deklarojnë vazhdimin e bojkotit të ndeshjeve brenda të kombëtares, si kundërpërgjigje ndaj sjelljes policore në sfidat e mëparshme ndaj Serbisë dhe Izraelit, kur ka qenë shtetrrethim: “A thua sa nga këto (450) bileta i janë ndarë policisë? A do të mund të duartrokasin ata me kallashnikovë në duar? Nëse ata që menaxhojnë futbollin shqiptar mendojnë se kjo është rruga e duhur, iu dëshirojmë punë të mbarë. E kemi thënë shumë herë më parë, tash e një vit, nuk do të kthehemi në stadiumet shqiptare deri në ditën që policia me kallashnikovë të largohet nga stadiumet dhe të na trajtojë si qenie njerzore. Ndërkohë, ne do të vazhdojmë përkrahjen për kombëtaren në të gjitha stadiumet europiane. Po, do të jemi edhe në FYROM më 5 shtator.”





