Prokuroria për Krime të Rënda kërkon dënimin me 3 vjet burgim për 23-vjeçarin që i ka kërkuar 500 euro një punonjëseje policie në Elbasan, në këmbim të mospublikimit në internet të një videoje, në të cilën ajo shfaqej duke bërë dush në shtëpinë e saj.

Filmimi në shtëpi dhe letra kërcënuese

Mbrëmjen e 24 gushtit të vitit të kaluar, shtetasja R. L., po bënte dush në tualetin e shtëpisë së saj 1-katëshe në Elbasan. Gjatë kohës që ishte në dush, ka dëgjuar zhurmë në dritaren e tualetit dhe ka parë një djalë të ri që po e filmonte. Ajo i ka thirrur dhe djali është larguar. Duke qenë se kallëzuesja ka qenë e zhveshur, nuk ka mundur të ndjekë djalin, i cili ka kaluar murin e oborrit dhe është larguar me vrap.

Dy ditë më pas, mëngjesin e datës 26 gusht, në derën e shtëpisë së saj ka gjetur një letër anonime, në të cilën shkruhej se “duhej të linte 500 euro pranë koshit të mbeturinave të zonës, në orën 22.00 të mbrëmjes së asaj dite, pasi në të kundërt pamjet e saj nudo në dush do të bëheshin publike në rrjetet sociale dhe në faqe të ndryshme interneti”.

Kurthi që i ngriti policia

Me të marrë këtë letër, policja R. L. ka bërë kallëzim pranë kolegëve. Oficerja e policisë u autorizua për të kryer veprime simuluese si “dorëzim i kontrolluar i një zarfi” në vendin e paracaktuar nga letërshkruesi, duke u mbikëqyrur ky veprim nga forcat e policisë. Oficerët e policisë gjyqësore printuan nga interneti një 100 euro me numër serial (pesë të tilla), dhe i futën në një zarf, të cilin e mori kallëzuesja, dhe para orës 22:00 të datës 26.08.2015, ajo me automjet shkoi te koshi i mbeturinave, ku e kishte orientuar të hidhte zarfin letërshkruesi dhe hodhi aty zarfin.

Sapo ajo u largua, një person u afrua te koshi i mbeturinave, mori zarfin, e futi në xhep dhe u largua. Ai u ndoq nga forcat e policisë që vëzhgonin veprimet në terren dhe u kap në largim e sipër me vrap. Ai u identifikua si shtetasi Marjo Bici, 23 vjeç, banues në Elbasan. Me vete, krahas zarfit “me para”, atij iu gjet dhe një aparat telefoni celular “NOKIA E51”, me numër serie përkatës, me kartë numri dhe një kartë memorie, që u këqyrën dhe u dokumentua video e kallëzueses.