Janë zbuluar të tjera detaje pas arrestimit të 13 personave, gjatë operacionit të koduar “Eskort” në kryeqytet. “Shekulli” shkruan sot se klientët paguanin deri në 500 euro, për një natë orgji me të arrestuarat Ambra Isaku, Silvana Nexhipi dhe Xheje Dunga.
Nga të dhënat e deritanishme, ato shfrytëzoheshin nga Silvana Nexhipi, e cila, në bashkëpunim me dy të arrestuarit e tjerë, Franko Dervishi dhe Eglantin Kapo, dërgonin vajzat që prostituonin në Tiranë dhe Elbasan. Dy të arrestuarit shërbenin me automjete si eskortë për vajzat e ndaluara. Arrestimi i tyre u bë në Tiranë, dy ditë më parë në një nga hotelet në zonën e Saukut, ku Ambra Isaku dhe Xheje Dunga, ishin në shoqërinë e dy shtetasve turq, të cilët u arrestuan.
Sipas policisë, janë nën hetim edhe shumë persona të tjerë, që i përkasin shtresës së lartë në vend, që frekuentonin këtë rrjet kriminal prostitucioni, por emrat e tyre mbeten të fshehtë për sa kohë që nuk është bërë edhe arrestimi i tyre.
Mësohet se tri femrat e prangosura ishin të divorcuara, ndërsa kishin më shumë se dy vite që kryenin aktivitet kriminal në vend.