30 nëntor 2015 – Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, për të sjellë në Tiranë këngëtarin britanik John Newman, ka paguar një shumë marramendëse. Sipas portalit “Syri.net”, Bashkia e Tiranës ka paguar plot 500 mijë Euro vetëm e vetëm që britaniku John Newman të përformonte 50 minuta në skenën e vendosur në Sheshin “Skënderbej”.
“500 mijë Euro për një bashki që po përballet me 1 mijë e 1 probleme në 6 muajt e parë të menaxhimit të Erion Veliajt, padiskutim që janë një çmenduri financiare me kuptimin e plotë të fjalës e për më tepër, për një ekonomi si ajo e Shqipërisë që po përjeton një krizë të madhe frymëmarrjeje dhe degradimi.
Nuk është e nevojshme të mendosh se çfarë mund të ishte bërë në shërbim të komunitetit me një fond prej 500 mijë Eurosh, por është e sigurt që Kryetari i Bashkisë i ka rënë me top buxhetit vetëm e vetëm për të sjellë në Shqipëri për të celebruar Ditën e Çlirimit, një britanik, dhe për ti dhënë edhe njëherë banorëve të kryeqytetit thjeshtë e vetëm formën, e asgjë për përmbajtjen”, shkruan portali “Syri.net”.
/portali DurresLajm/





