1 korrik 2015 – Mbi 500 të dyshuar janë arrestuar nga Europoli dhe janë konfiskuar mbi 2.8 ton kokainë dhe qindra automjete në një seri bastisjesh në dhjetëra vende të Bashkimit Europian.
Ata janë arrestuar gjatë superoperacionit të quajtur “Blue Amber”, zhvilluar në 33 vende të botës, nga data 4 maj deri më 24 qershor, ku mediat italiane shkruajnë që është përfshirë dhe Shqipëria.
Lajmi u njoftua nga vetë Europol-i dy ditë më parë, i cili nuk ka publikuar asnjë nga emrat e të arrestuarve. U sekuestrua një sasi rekord lëndësh narkotike, mbi 2.8 tonë kokainë dhe 110 kg heroinë, u konfiskuan 390 automjete të personave të arrestuar, si dhe 1300 tonë metale të vjedhura.
Transportuesit e kokainës udhëtonin kryesisht me avion nga Amerika e Jugut drejt Europës, ndërsa ata të heroinës lëviznin kryesisht nga Afganistani e Pakistani, në drejtim të vendeve të Europës Perëndimore.
Krahas trafikut të lëndëve narkotike, të arrestuarit ishin të përfshirë edhe në trafikim të qenieve njerëzore, të armëve, falsifikimin e mallrave, emigracionin e paligjshëm dhe krimin kompjuterik.
/S.L. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/