TIRANË- Gjatë vitit 2011, Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave (DPPPP) ka dërguar për ndjekje 51 raste transaksionesh të dyshimta. Po për vitin e shkuar, kjo strukturë ka dërguar edhe 160 raste për investigime të mëtejshme në Policinë e Shtetit. Sipas raportit të DPPPP për vitin 2011, numri më i lartë i referimeve të transaksioneve të dyshimta drejt organit të prokurorisë i përket vitit 2010, kur janë dërguar për hetim 64 raste të dyshuara për pastrim parash, ndërkohë që në vitin 2009 janë dërguar 59 raste, në vitin 2008, 26 dhe në 2007-ën, vetëm 2 raste. 
 

Raporti

Ndërkohë që sipas raportit, për vitin 2011 rezulton se numri i raportimeve në drejtim të DPPPP nga subjektet që sipas ligjit duhet të ofrojnë të dhëna për transaksionet e dyshimta në total është 383. Numri më i madh i raportimeve është bërë nga bankat dhe institucionet financiare, të cilat kanë njoftuar DPPPP për 337 raste transaksionesh të dyshimta. 28 raste të dyshimta janë raportuar nga institucione publike, ndërkohë që 20 raste të tjera janë raportuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave. 18 raste transfertash të dyshimta janë raportuar pranë DPPPP nga subjekte profesionistësh jofinanciarë, 17 nga noterë, 8 nga zyra qendrore e regjistrimit të pasurive të paluajtshme, 7 raste nga shoqëri transfertash, 1 rast nga një agjenci këmbimi valutore dhe 1 rast nga një ekspert kontabël.