ITALI, 22 mars 2013– Në një prej botimeve të Ismu-t, instituti që merret me nismat dhe studimet mbi multietnicitetin, bëhet një pasqyrë interesante lidhur me praninë e të huajve në Itali që në vitet tetëdhjetë e deri në ditët tona.
Siç raporton “Shqiptari i Italisë”, informacionet e para të Ministrisë së Brendshme flisnin vetëm për refugjatët, ndërsa më pas hyri në përdorim emërtimi “emigrantë me banim të rregullt”. Instituti Kombëtar i Statistikave jep informacionet e para mbi këtë pjesë të popullsisë, vetëm pas regjistrimit të vitit 1991, ndërsa të dhënat e mëparshme janë ato të refugjatëve të Ministrisë së Brendshme.
Në vitin 1980 në Itali emigrantët e rregullt ishin kryesisht jugosllavë (11 mijë), etiopianë (5 mijë), filipinë (4 mijë) dhe 3 mijë argjentinas, egjiptianë, polakë dhe indianë. Tërheq vëmendjen fakti që komunitetet që tani mbulojnë pjesën më të madhe të përqindjes së shtetasve të huaj që janë në Itali, 33 vite më parë përfaqësoheshin nga shumë pak emigrantë: marokenët ishin vetëm 829 persona, shqiptarët 514, kinezët 463 dhe senegalezët 134.
Por pas 15 vjetësh, në vitin 1995, marokenët renditeshin në krye me 95 mijë leje qëndrimi të rregullta, shqiptarët ishin 35 mijë, filipinët 43 mijë, tunizianët 40 mijë, ndërsa rumunët vetëm 25 mijë.
Ndërsa sot këto shifra janë shumëfishuar: vetëm shqiptarët e rregullt nga 500 kanë arritur në 2.034 në vitin 1990, në 142.066 në vitin 2000 dhe sot janë rreth gjysmë milioni, për të mos përmendur rumunët që kanë kapërcyer milionin.
/m.b. Agjencia e Lajmeve “Dyrrah”/





