Dy shqiptarë dhe një shtetas serb janë vënë në pranga, pas një aksioni të policisë së Kosovës. Policia bën me dije detaje nga arrestimi i tre personave të dyshuar dhe ka konfiskuar më shumë se 50 kilogramë substancë të dyshuar narkotike.

Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë në Drejtorinë e Përgjitshme të Policisë në Prishtinë, njofton se operacioni është ndërmarrë pas një hetimi disa mujor.

Aksioni i Policisë është zhvilluar në dy zona. “Në rrugën Prishtinë – Gjilan (në fshatin Ponesh) Policia e Kosovës ka ndaluar automjetin Mercedes me targa shqiptare, që drejtohej nga i dyshuari (F. Th.), i cili ishte së bashku me të dyshuarin tjetër (Xh. H.), të dy meshkuj me shtetësi shqiptare dhe pas procedurave të kontrollit në bagazhin e automjetit në fjalë është gjetur një sasi prej mbi 52 kg, sasi e dyshuar e substancës narkotike e llojit marijuanë”, thuhet në njoftimin për media.

Po të enjten, sipas njoftimit të Policisë, rreth orës 19:30, në Gjilan është arrestuar i dyshuari i tretë (L. M.) me shtetësi serbe, i cili dyshohet se kishte për ta pranuar substancën narkotike.

Ndërkaq, pos lëndës narkotike, si prova materiale janë sekuestruar: Dy vetura, katër telefona celularë, dy mijë euro para kesh.