Opera “Bijtë e Skënderbeut” është një nga ngjarjet më të rëndësishme artistike vënë në skenën e pallatit të kulturës “Aleksandër Moisiu” në Durrës, dhe për njohësit dhe kritikët e artit, ndoshta edhe ngjarja më kulmore e jetës artistike në qytet.

Opera është vënë në skenë më 9 janar të vitit 1968, në kuadër të 500-vjetorit të vdekjes së heroit kombëtar Skëndërbeu, me muzikë të Abdulla Grimcit, libret Matish Gjeluci, dirigjent Ermir Dizdari, regjisor Enver Plaku, skenograf Hysen Devolli dhe interpretim nga një trup amatore, e gjitha e përbërë nga durrsak.

Ermir Dizdari, dirigjenti i operës dhe një nga figurat më të rëndësishme të jetës artistike të qytetit, në rrëfimin e tij për “DurrësLajm” tregon se pse ky 55 vjetor i operës, duhet kujtuar…

“Falenderimi ju takon ju që u kujtuat për këtë event të Durërsit, që nuk ka të bëjë me autorët apo me ata që ndihmuan për ta vënë atë në skenë, por është tregues i një qytetarie që kishte Durrësi. Ka patur amator, por të përgatitur për të luajtur një vepër me këto përmasa dhe nga krahu tjetër ka patur edhe spektatorë që ta ndjekin, sepse sot ti mund të bësh një shfaqje por nuk të ndjek njeri”.

Por edhe pse një pikë kulminante e afrimit të aytetarëve me artin, harresa është e gjitha që mund të ofrojmë sot…

“Shfaqja është vendosur rreth 40 herë në skenë, por pas kaq kohësh, edhe kur u bë 50 vjetori, edhe tani, nuk është kujtuar njeri”.

Pyetjes se a do të duhej që ky përvjetor të kujtohej nga intitucionet në qytet, dirigjenti Dizdari i përgjigjet me shumë elegancë edhe pse jo pa keqardhje.

“Kur ishte 50-vjetori i bëra një shkresë Bashkisë së Durrësit dhe Ministrisë së Kulturës, sepse kjo operë ka të bëj me një dimension tjetër, atë të qytetarisë durrsake. Durrësi kishte artistë që përballuan një vepër skenike të tillë. Kujtoj se sa herë që kishte shfaqje nuk kishte më bileta, madje një prej këtyre mbrëmjeve u thye edhe xhami. Ndaj them se përkujtimi do të ishte i nevojshëm për të shprehur këtë detaj, dashurinë për artin”.

Ndërsa në fund, Dizdari duket se është nostalgjik edhe për hapat e tij të parë në karrierë, sepse sipas tij edhe pse i vogël me trup, ai ju imponua grupit artistik, për të mbetur kështu në historinë e jetës artistike të qytetit.

H.H.