Tiranë, 7 qershor 2014 – Në një raport transparence të publikuar dje, “Vodafone” ka nxjerrë  të dhënat që kompania u ka transferuar shërbimeve sekrete apo qeverive në 29 vendet e botës. Shqipëria është në krye të listës (për shkak të rendit alfabetik) me 5778 persona të përgjuar vetëm përgjatë periudhës 2013-2014, raporton e përditshmja “Mapo”.

“Për Shqipërinë, është e paligjshme të bësh publike çdo aspekt mbi mënyrën sesi këto përgjime janë kryer”,– thuhet në raportin e Transparencës.

Në një krahasim me vendet e tjera, Shqipëria qëndron diku në mes për numrin e përgjimeve. Belgjika dhe Franca janë shtetet ku qytetarët thuajse nuk përgjohen fare; me 2 dhe 3 raste të raportuara nga Vodafone. Italia rezulton vendi me numrin më të lartë të përgjimeve: më shumë se 605 mijë vetëm në periudhën 2013-2014. Por si përgjohet në Shqipëri? Kush është i autorizuar për t’u kërkuar operatorëve telefonikë vendosjen e një personi nën përgjim dhe çfarë informacionesh marrin në duar institucionet?

Si përgjohet në Shqipëri

Në raportin e “Vodafone” thuhet se ligji i Përgjimeve në Shqipëri përcakton se, në rastet kur Shërbimi sekret apo ministritë e autorizuara nuk mund të kryejnë interceptime vetëm përmes burimeve të tyre, atëherë i drejtojnë kërkesë operatorit telefonik.

“Drejtori i Shërbimit sekret ose ministrat mund të kërkojnë asistencën e çdo operatori të komunikimeve elektronike në Republikën e Shqipërisë, për të ndërmarrë gjithë hapat e nevojshëm për të realizuar përgjimin”,- thuhet në raport.

Të drejtën për të kërkuar përgjime në Shqipëri e kanë SHISH, agjencia inteligjente në Ministrinë e Brendshme, Ministria e Financave dhe ajo e Drejtësisë, por edhe çdo shërbim tjetër inteligjent i përcaktuar si i tillë nga ligji. Në të gjitha rastet, filtri është Prokurori i Përgjithshëm. Kërkesa për përgjim i drejtohet kryeprokurorit ose prokurorit të caktuar prej tij, të cilët vendosin për ta miratuar apo jo kërkesën. 

Ndërsa përgjimi i kryer nga operatorët telefonikë duket të jetë i përputhshëm teknikisht me pajisjen që ndodhet në zyrën e Prokurorit të Përgjithshëm. Vodafone thekson se përgjimet e kryera nuk mund të paraqiten në gjyq si provë. Përveç rasteve kur është Gjykata ajo që jep autorizimin për përgjim. Kaq sa për procedurat. Gjithë sa ka rëndësi është fakti se bisedat zanore të 5778 personave të përgjuar në 1 vit, SMS-të e tyre, vendndodhja e madje edhe telefonatat e humbura kanë mbërritur në duart e Shërbimit Sekret apo agjencive të tjera të autorizuara.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/