Në vazhdimësi të bashkëpunimit dypalësh me Forcën Detare të Francës për vitin 2019, më 6-9 prill 2019, anija minaheqëse-minakërkuese CMT Lyre (M 648) zhvillon vizitë në portin e Durrësit. U prit nga komandanti i grupit të dytë të anijeve të Forcës Detare, kapiten i rangut III Blerim Hoxha, atasheu ushtarak francez kolonel Fabrice Duda, kuadro të Forcës Detare si dhe personel i ambasadës franceze në vendin tonë, njoftoi me shumë vonesë, vetëm më 8 prill 2019, komanda e Forcës Detare në Plepa të Durrësit.

Kjo vizitë ofroi një mundësi për trajnimin e personelit sipas standardeve të NATO kryesisht në komunikimin dhe manovrimin e përbashkët. Ardhja e anijes ndihmoi edhe për marrje përvoje në kuadër të objektivit të kapaciteteve “Qendra e menaxhimit të luftës kundër minave”, thanë Plepat. Komandanti i anijes franceze, major Fransua Ksavje Puason (François Xavier Poisson) dhe atasheu ushtarak francez kolonel Fabris (Fabrice) Duda zhvilluan një vizitë në komandën e Forcës Detare, kurse më 8 prill 2019, një takim me prefektin e Durrësit Kapiten i Rangut të Parë (Kolonel) në rezervë Roland Nasto, cili në periudhën 16.12.2003-30.4.2007 ka qenë komandant i Distriktit Parë Detar Durrës.

Mëngjesin e 9 prillit 2019 minakërkuesja, e shoqëruar nga anije shqiptare, do të largohet nga Durrësi për t’u zhvendosur në gjirin e Vlorës, ku do të zhvillohet një stërvitje nënujore me zhytës nga të dy vendet. Anija CMT Lyre (M 648) do të largohet në mesditë, pas përfundimit të stërvitjes. Kjo anije ka ardhur dhe në tetor 2016 në Durrës.

Info

Misioni i minakërkueseve (CMT) është zbulimi, identifikimi dhe neutralizimi i minave të mbytura. Këto njësi të specializuara, gjithashtu mund t’u paraprijnë operacioneve ajrore amfibe ose detare. Lirshmëria magnetike, manovrimi dhe pajisjet e tyre të dedikuara u lejojnë të ndërhyjnë në zona të minuara dhe në thellësi të madhe. Ata marrin pjesë rregullisht në misionet, ku kërkohet ekspertiza e tyre (kërkimi i rrënojave, mbeturinave, neutralizimi i pajisjeve shpërthyese historike). Pajisja – Armët: 2 dronë PAP-104 për shkatërrimin e minave, sistem transmetimi satelitor, 1 dhomë dekompresimi shumëvendshe, 1 dizel, 1 top 20 mm, 2 mitraloza 12,7 mm, 2 mitraloza 7mm, 1 radar navigacioni, 1 sonar, 1 sistem autopiloti etj. Karakteristikat: gjatësia: 51.5 m, gjerësia: 8.9 m, zhvendosja: 615 ton, shpejtësia: 15 nyja. Ekuipazhi: 45 detarë, duke përfshirë 6 zhytës çminues.

Th.M.