Pak pasi liroi gazetarin Deniz Yucel, korrespondent i gazetës gjermane “Die Welt”, pas një viti të kaluar prapa hekurave për propagandë pro partisë së ndaluar të Punëtorëve të Kurdistanit, Turqia dënoi me burgim të përjetshëm 6 gazetarë të tjerë.
Akuzat ndaj tyre janë për lidhje me lëvizjen e klerikut Fethullah Gulen, që jeton në mërgim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ankaraja e akuzon njeriun, që dikur ka qenë mik i Recep Tayyip Erdoganit, se është personi që organizoi grushtin e dështuar të shtetit korrikun e vitit 2016.
Gazetarët Ahmet Altan, Mehmet Altan, si dhe Nazli Ilicak do ta kalojnë jetën në burg, sepse sipas aktpadisë kanë qenë të informuar që përpara për puçin ushtarak.
Zyrtarisht, dënimi i tyre nënkupton se duhet të kalojnë 40 vite në qeli. Pretendimi se janë përpjekur të godasin rendin kushtetues i privon nga liria edhe gazetarët Fevzi Yazıcın, Yakup Şimşekun e Şükrü Tuğrul Özşengül, të cilët punonin në gazeta dhe një stacion televiziv të lidhur me Gulenin.
“Kjo është një ditë e errët për lirinë e shtypit dhe për drejtësinë në Turqi. Ajo krijon një precedent armiqësor për të gjithë gazetarët e tjerë, që përballen me procese gjyqësore të ngritura mbi akuza të ngjashme të falsifikuara terrorizmi”, deklaroi drejtoresha e degës së “Amnesty International” për Europën, Gauri van Gulik.
Menjëherë pas lirimit, Deniz Yucel udhëtoi drejt Berlinit. Gazetari, arrestimi i të cilit u kthye në shkakun e fërkimeve serioze mes Gjermanisë dhe Turqisë, nuk i ka pranuar asnjëherë akuzat e ngritura ndaj tij.