Ish-atleti me këmbë të amputuar Oscar Pistorius është liruar nga burgu me kusht dhe tani është në shtëpi.
Kjo u komunikua nga departamenti i burgjeve të Afrikës së Jugut, pa dhënë detaje të mëtejshme rreth orës 8:30 të mëngjesit me orën lokale.
6 herë kampioni i Lojërave Paraolimpike ka vuajtur gati nëntë vjet nga dënimi i tij 13-vjet e 5-muaj për vrasjen e të dashurës së tij Reeva Steenkamp në ditën e Shën Valentinit në 2013.
Drita jeshile për lirimin me kusht për Pistorius erdhi në nëntor. Në Afrikën e Jugut, të dënuarit për krime të rënda mund të lirohen me kusht pasi të kenë vuajtur të paktën gjysmën e dënimit.
Komisioni përgjegjës për lirimin e parakohshëm shqyrtoi çështjen e tij dhe përcaktoi se “i burgosuri është i përshtatshëm për riintegrim social”.
Ishte gdhirë më 13 shkurt 2013 kur në një lagje banimi të Pretorias, Afrika e Jugut, Reeva Steenkamp, një modele 29-vjeçare, hyri në shtëpinë e të dashurit të saj Oscar Pistorius.
Ajo e bëri këtë, si gjithmonë, me kopjen e saj të çelësave: sepse donte ta surprizonte kur të zgjohej në ditën e Shën Valentinit.
Kampioni i atletikës, ishte në gjumë dhe kishte dëgjuar vetëm një zhurmë.
Sapo pa një person që hyri në dhomë, mori armën që mbante pranë shtratit dhe e qëlloi.
Disa të shtëna, dy ose katër në varësi të versioneve. Të shtënat e kishin goditur Reeva në kokë dhe krah, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.





