Në portin e Durrësit janë përpunuar 52.918 TEU (njësi kontejnerike) gjatë periudhës janar – qershor të këtij viti. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar janë përpunuar 1.467 TEU më shumë.

Nga të dhënat e sektorit të statistikave, mësohet se që nga fillimi i vitit 2016 në kalatat e Terminalit përkatës janë përpunuar 99 anije tregtare kontejnerësh, me afro 691 mijë tonë mallra gjithsej, duke mbetur thuajse në të njëjtat shifra me 6-mujorin e parë të vitit 2015. Pjesa dërmuese e anijeve, pasi kanë sjellë mallra nga vende të tjera janë ngarkuar po me kontejnerë, për t’u nisur drejt destinacioneve të tyre.

Importet dhe eksportet me kontejnerë zënë përkatësisht 51.13 % dhe 48.87 % të totalit. Numri më i madh i kontejnerëve është përpunuar përkatësisht gjatë muajve maj dhe qershor të këtij viti.

Gjatë periudhës janar-qershor 2016, në portin e Durrësit janë përpunuar mbi 1.67 milionë tonë mallra gjithsej.