Arabia Saudite, Egjipti, Bahrejni, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Jemeni, kanë ndërprerë marrëdhëniet diplomatike me Katarin, duke e akuzuar këtë vend se po destabilizon rajonin.
Sipas këtyre shteteve, Katari është duke mbështetur financiarisht grupet militante mes të cilave edhe Shtetin Islamik dhe Al Kaeden, akuza të cilat Katari i mohon.
Agjencia shtetërore saudite e lajmeve SPA njoftoi se, Riadi kishte mbyllur të gjithë kufijtë e saj detarë dhe tokësorë me gadishullin e vogël të Katarit. Kjo masë e paprecedent është duke u parë si një ndarje midis vendeve të fuqishme të Gjirit, të cilët janë gjithashtu aleatë të afërt të SHBA. Ajo vjen në kontekstin e tensioneve në rritje midis vendeve të Gjirit dhe fqinjit të tyre, Iranit.
Në akuzën e sauditëve thuhet se, Katari po bashkëpunon me milicët e mbështetur nga Irani.
Vendimi për ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike hyri në fuqi në fillim nga Bahrejni, më pas nga Arabia Saudite, ndërsa vendet e tjera i ndoqën më pas. Sipas agjencisë SPA, një akt i tille ka si qëllim që të mbrojë sigurinë kombëtare nga rreziqet e terrorizmit dhe ekstremizmit.
Vendet e gjirit u kanë dhënë shtetasve nga Katari dy javë kohë që të largohen nga territori i tyre.
Edhe pse ky vendim erdhi në mënyrë të papritur, nuk ishte krejtësisht i paparashikuar, pasi tensionet mes vendeve janë rritur ndjeshëm prej disa javësh, pasi të njëjtat vende bllokuan portalet e lajmeve të Katarit, ku ishin shfaqur “online” kritikat e rrepta të emirit Al-Thani kundër Arabisë Saudite.