Gjashtë viktima, 129 të infektuar dhe 109 të shëruar është bilanci i ditës së premte me COVID-19, në Maqedoninë e Veriut.

Me këto shifra, numri i përgjithshëm i viktimave nga koronavirusi në Maqedoninë e Veriut arrin në 451, ndërsa numri më i madh i tyre është në Shkup.

Sa iu përket rasteve të reja, më shumë të prekur ka po ashtu në Shkup, ndërsa numër më i vogël i të infektuarve u regjistrua në 14 qytete të tjera.

Maqedonia e Veriut ka konfirmuar gjithsej 9,797 të infektuar me koronavirus, prej të cilëve 4,092 raste mbeten aktive.

Ministri i Shëndetësisë i Maqedonisë së Veriut, Venko Filipçe, përsëriti se gjendja me koronavirus është e qëndrueshme dhe se institucionet shëndetësore kanë kapacitete të mjaftueshme për t’u përballur me të.

Ai po ashtu bëri thirrje për respektimin e masave mbrojtëse, ndërsa paralajmëroi se gjatë fundjavës, Komisioni i Sëmundjeve Infektive do të diskutojë mundësinë e heqjes së masave kufizuese në kufijtë e vendit, respektivisht heqjen e testit për koronavirus, të njohur si PCR, me shtetet e rajonit.