Gjashtë persona kanë humbur jetën nga rrëzimi i avionit të vogël privat në zonën e Velesit pranë Shkupit pasditen e së martës.

Avioni me 6 persona në bord, prej të cilëve 2 vëllezër nga Kosova dhe 4 italianë, ishte nisur nga aeroporti “Canova” i Trevizos në Itali, dhe po udhëtonte drejt Prishtinës, ndërsa në Shkup në aeroportin “Aleksandri i Madh”, ishin për furnizim me karburant. 

Vendi ku u rrezua avioni është rreth 20 km larg kryeqytetit të Maqedonisë. Pjesët e avionit “Pajper Senka 2” u gjetën 2 kilometra larg fshatit Kozhle në zonën e Velesit.

Autoritetet konfirmuan emrat e viktimave, Visar Begaj dhe vëllai i tij, të dy nga Malisheva, por që zhvillonin aktivitetin e tyre si biznesmenë në Itali. Ndërkohë italianët që humben jetën janë piloti Francesko Montagnieri, Dario Bastasi, Luka dalla Mile dhe viktima e katërt një femër.

Mediat e Kosovës dhe Maqedonisë njoftojnë se avioni mund të jetë rrëzuar për shkak të motit të keq. Kjo, por edhe terreni i vështirë dhe nata vështirësuan operacionin e kërkimit.

Fillimisht ishin banorët e Velesit ata që njoftuan për një shpërthim të fuqishëm, dhe pas lajmit për zhdukjen e avionit, u verifikua vendndodhja e rrëzimit. 

Avioni i regjistruar në Gjermani ishte marrë me qira për këtë udhëtim dhe çdo orë fluturim kushtonte 500 euro. Gjatë së martës, nga Trevizo të Italisë në drejtim të Shkupit ishin nisur 3 avionë të vegjël. Dy mbërritën, ndërsa i treti humbi nga radarët. Raportohet se të 6 personat do të merrnin pjesë në ceremoninë për themelimin e qendrës aeronautike të Kosovës në Istog gjatë së mërkurës.