Një fëmijë 6-vjeçar është plagosur në mesnatë me automatik në Krastë të Martaneshit. Nga të dhënat e para, raportohet se fëmija ka qenë në gjumë kur është plagosur me disa plumba në pjesën e fytyrës dhe trupit. 6-vjeçari është transportuar fillimisht në spitalin e Dibrës, ndërsa më pas me helikopter në spitalin e Traumës për ndihmë të specializuar, pasi është në gjendje shumë të rëndë.
Mjeku i spitalit të Dibrës, Agron Mezegjiu tregoi për Report Tv gjendjen që kishte ardhur fëmija dhe plumbat që kishte marrë në fytyrë dhe pjesët e tjera të trupit, ndërsa theksoi se gjendja u stabilizua.
"Fëmija erdhi rreth orës 01:00 i plagosur me armë zjarri, kishte një plagë të madhe në fytyrë dhe një plumb i ngelur mbrapa qafës, kishte një dëmtim në kyç dhe një plagë të madhe në kofshën e djathtë, kishte edhe një plagë në bazën e hemitoraksit të majtë që mund të ishte rikoshet.
U shtrua në spital, gjendja u stabilizua, rreth orës 07:00 u lajmërua gjendja në Tiranë, erdhi helikopteri dhe e mori. Megjithatë gjendja mbetet problematike, pasi mund të kërkojë ndërhyrje kirurgjikale", tha mjeku.
Sipas policisë, autori i plagosjes së fëmijës është Jetmir Koxherri 27 vjeç. Pas një konflikti mes Koxherrit, babait të 6-vjeçarit me inicialet H. Rr. dhe një tjetër personi me inicialet Sh. P. në lokalin e fshatit, 27-vjeçari ka marrë armën e zjarrit tip automatik duke shkuar dhe qëlluar drejt banesës së tij, por plumbat kanë kapur fëmijën, që ishte në gjumë duke e plagosur rëndë.





