Tiranë, 15 mars 2014 – 26 persona humbën jetën 6-vjet më parë në atë që njihet si tragjedia e Gërdecit. Përkujtohet sot ngjarja e shënuar më 15 mars të vitit 2008 në fshatin Gërdec, disa kilometra nga Tirana ku mbetën të plagosur me qindra persona. Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, ishte sot në Gërdec për të përkujtuar këtë ditë dhe për të parë nga afër procesin e rehabilitimit të zonës.
“Për fat të keq sot jemi mbas 6 vjetësh në një nga vendet që nuk do të harrohen lehtë për shkak të trishtimit që shkaktoi shpërthimi i Gërdecit, 26 të vrarë, qindra të plagosur. Ne e konsiderojmë sot Gërdecin një pikë, e cila duhet akoma të pastrohet, mbas një pune të bërë nga ndërkombëtarët për rehabilitimin e kësaj zone, sot ka shumë për të bërë. Kemi dhënë një premtim që kjo zonë do të pastrohet rreth shtatorit. Ka shumë për t'u rehabilituar. Janë parë me mjete kërkuese rreth 25 % e gjithë zonës së dëmtuar, dhe njëkohësisht ka dhe 30% e zonës e cila është parë më sy por që nuk është verifikuar plotësisht. Këtu ka rreth 25 pjesëtarë të Forcave të Armatosura që përditë përballen me këtë situatë,. Ne do t’i rikthejmë këtij vendi dhe kësaj ngjarje të trishtë një realitet tjetër.”- tha Kodheli.
Duke akuzuar qeverinë e asaj kohe për abuzime, ministrja Kodheli foli edhe për procesin gjyqësor në ngarkim të akuzuarve si shkaktarë të shpërthimit të Gërdecit.
“Ne duhet ta përkujtojmë për të mos u kthyer, për të mos u bërë kurrë ato gabime abuzime me ligjin, me të drejtën për të jetuar, për të punuar. Kishte një qeveri që abuzoi me një biznes të tillë, pasojat i dimë të gjithë. Sot ka akoma proces të pambyllura gjyqësore, mendoj që qeveria do të bëjë atë që është më e mira për qytetarët dhe bizneset që janë dëmtuar këtu. Ka probleme pushteti ligjor, ne jemi këtu për ta reformuar, dhe jo domosdoshmërisht ka qenë në anën e të drejtit. Pushteti ligjor është një pushtet i vënë në pikëpyetje, sepse ka korrupsion, sepse është i pareformuar. Ka nevojë për reforma, për ristrukturim, për riformatim, të proceseve, të ligjeve, dhe të sistemit vetë. Vetëm me anë të reformave ne mund të bëjmë sadopak diçka për atë që u humb këtu në Gërdec.”- tha Kodheli.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





