Prej 25 vitesh udhëtojnë një herë në vit së bashku. Këtë herë, destinacioni i tyre i radhës ishte Durrësi dhe Shqipëria. Po flasim për 60 ish-studentë holandezë nga Roterdami që i takuam në amfiteatër, ndërsa po admironin nga afër trashëgiminë e pasur kulturore të qytetit 3000-vjeçar. Shumica e tyre e shohin Shqipërinë për herë të parë, por ka dhe nga ata që vijnë për herë të tretë.

“Na pëlqen për kulturën, ushqimin, çmimet e lira, motin mjaft të mirë, por edhe njerëzit që janë shumë miqësorë”.

“Më pëlqejnë njerëzit, të gjithë i sheh jashtë duke bërë gjëra të bukura. Më pëlqen shumë edhe moti.”

“Është vend shumë i bukur, njerëz të mirë dhe shumë trashëgimi kulturore. Është vend perfekt. Është hera ime e parë në Durrës dhe Tiranë”,- ishin disa nga përshtypjet e tyre për “DurrësLajm”.

E ndërsa rendisin gjërat që u pëlqejnë më shumë nga vendi ynë, kanë edhe disa kritikat për përmirësimet që duhet të bëjmë, veçanërisht në infrastrukturë.

“Do ishte shumë më mirë nëse linjat hekurudhore do ishin funksionale. Udhëtimi do të ishte më i lehtë”.

“Mbase rrugët duhet të jenë më mirë, kështu mendoj”.

Megjithëse jemi ende në muajin mars, Durrësi ka nisur të presë flukset e para turistike. Përveç shtrirjes së sezonit përtej 3 muajve të verës, fakt tjetër pozitiv është larmishmëria e turistëve, nga vende që më parë nuk e njihnin fare Shqipërinë. Vetëm 2 ditë më parë, një grup të rinjsh nga Kolorado, SHBA, ndodheshin për herë të parë në Durrës, për të parë nga afër qytetin.

M.B.