14 mars 2014 – Drejtësia vonon por nuk harron. Gani Cakoni, funksionar partie nga zona e Peshkopisë, sot 60 vjeçar ndërsa zbriste nga trageti i linjës Vlorë-Bari u arrestua nga policia italiane. Ai 15 vjet më parë kishte sjellë në Itali një shqiptare minorene (16 vjeç), të cilën e kishte përdhunuar vazhdimisht  dhe me anë të dhunës e kishte detyruar të prostituonte trotuarëve të Gjenovës në zonën e Foces me çmimin prej 50.000 liretash për një kontakt seksual.

Policia e Gjenovës e arrestoi në vitin 1999, por pas vetëm 6 muajsh burg avokati i tij arriti t’ia ndërronte masën e sigurisë në arrest shtëpie. Ganiu u arratis dhe u fsheh në Shqipëri. Ndërkohë gjyqi vazhdoi në Itali dhe Ganiu u dënua me 12 vjet burg me vendim të formës së prerë. Pas arrestimit, Gani Cakoni u dërgua në Burgun e Barit. Siç theksojnë mediat italiane, ndonëse me vonesë, më në fund drejtësia u vu në vend.

/gje. th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/