Një fluks i madh prej 6,000 emigrantësh kanë zbarkuar në Ceuta të Spanjës nga Maroku dy ditët e fundit, pasi mosmarrëveshjet diplomatike janë tënsionuar kohët e fundit midis Madridit dhe Rabatit.

Sipas mediave të huaja, anije të mbushura me burra, gra dhe fëmijë bënë kalimin në territorin spanjoll ndërsa shumë të tjerë kaluan me not përtej kufirit.

Sipas autoriteteve kalimet filluan në 2 të mëngjesit të hënën në zonën kufitare të Ceuta të njohur si Benzú dhe u ndoqën më pas nga disa turma njerëzish pranë plazhit lindor të Tarajal.

Familje të tëra me fëmijë, notonin ose hipnin në anije të vogla. Fluksi vazhdoi edhe ditën e sotme, megjithëse në numër më të ulët. Emigrantët u kontrolluan nga mjekët e Kryqit të Kuq përpara se të dërgoheshin në një qendër pritjeje, ku më pas u arrestuan.