Ish-tenisti gjerman Boris Becker, ish-numri 1 në botë për meshkuj, ka një borxh marramendës, i cili kap shifrën e 61 milionë eurove. Është kjo shifra e kërkuar sot nga 14 kreditorë në adresë të ish-yllit të tenisit botëror, fitues i 6 grand slemeve në karrierën e tij.
Kjo shifër është publikuar nga e përditshmja gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung”, që shton se pjesa më e madhe e kreditorëve janë biznesmenë të ndryshëm, ku më i rëndësishmi është zvicerani Hans-Dieter Cleven, të cilit Becker i detyrohet 37 milionë euro. Ndërsa pjesa tjetër e borxhit është marrë në banka të ndryshme, apo edhe personave të ndryshëm, që kanë hedhur në gjyq ish-tenistin.
Becker, që në karrierën e tij ka fituar rreth 25 milionë dollarë, aktualisht ka në bankë një shumë prej 500 mijë eurosh, e pamjaftueshme për të shlyer detyrimet. Por barka e shpëtimit për tenistin gjerman është një vilë në Majorka dhe dy apartamente në qytetin e tij të lindjes, në Leimen. Deri në nëntor të vitit të kaluar, Boris Becker ka qenë trajneri i tenistit serb Novak Djokovic, ndërsa tani është komentator për televizionin BBC gjatë turneve të tenisit.





