Bashkia Durrës pritet të rrisë me 61 punonjës stafin e institucioneve dhe drejtorive në varësi të saj, që paguhen nga buxheti i institucionit të qeverisjes vendore.
Nga 1787 punonjës me kontratë që ishin në vitin që sapo lamë pas, në vitin 2022 numri i tyre do të shkojë në 1848 punonjës.
Duke iu referuar buxhetit të këtij viti, i cili u miratua në Këshill Bashkiak më datë 23 dhjetor 2021, shtimi i stafit do të jetë më i ndjeshëm në dy sektorë; në programin e menaxhimit të mbetjeve (23%) dhe në programin e arsimit parashkollor dhe bazë (20%).
Konkretisht, bashkia planifikon që për të menaxhuar sa më mirë administrimin e mbetjeve urbane në plazhe dhe zonat turistike, ku popullsia rritet në mënyrë të ndjeshme, të marrë punonjës sezonalë që do të shërbejnë në pastrimin e territorit të zonave bregdetare gjatë sezonit veror.
30 punonjës sezonalë do të punësohen në këtë sektor, nga të cilët 20 veta do të punësohen pranë Ndërmarrjes së Shërbimeve Komunale dhe 10 veta pranë Ndërmarrjes Komunale Plazh.
Ndërkohë, në arsimin parashkollor dhe bazë do të shtohen 18 punonjës, 10 nga të cilët do të jenë edukatorë ndihmës në mbështetje të femijëve me aftësi ndryshe dhe financohen nga transferta e pakushtëzuar sektoriale për arsimin bazë dhe 8 punonjës janë punonjës mbështetës.
Punonjës të tjerë pritet të shtohen në Arkivin Qendror të Shtetit, në çerdhet e qytetit, klubin e futbollit etj:
1 – 2 punonjës mbështetës në arsimin e mesëm dhe konviktet.
2 – 4 punonjëse ne cerdhe
3 – 1 punonjës në Qendrën Kulturore “A.Moisiu”
4 – 1 punonjese (sanitare) në Klubin e Futbollit
5 – 5 punonjës ne strukturën që do të krijohet në marreveshje me Arkivin Qendrore të Shtetit me qëllim përpunimin e materialeve arkivore te ish komunave ne territorin e Bashkise. Paga bruto mujore e tyre do të jetë 30000 lekë në muaj. Afati është 1 vjeçar, por do te ndryshoje në varësi të volumit të punës.
Edhe punonjësit sezonalë që do të merren me pastrimin e zonave bregdetare në periudhën maj – gusht do të trajtohen me pagë bruto 30 000 lekë/muaj.
M.B.





