Si çdo vit në 34 pika vrojtimi si liqene, rezervuare, laguna dhe këneta në të gjithë vendin u realizua Censi Ndërkombëtar i Shpendëve Ujorë Dimërues.
Ky proces synon monitorimin e popullatave të shpendëve ujorë dimërues, përshkrimin e madhësisë së këtyre popullatave, përcaktimin e ligatinave me rëndësi ndërkombëtare, si dhe sigurimin e informacionit për mbrojtjen dhe menaxhimin e tyre.
Drejtoresha e Agjencisë së Zonave të Mbrojtura, Juxhina Spahiu tha sot për ATSH-në se “nga monitorimi i kryer nga 102 specialistë të Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, të shoqëruar nga ekspertë, studentë dhe shumë vullnetarë rezulton se në vitin 2026 janë evidentuar gjithsej 61 specie shpendësh ujorë dimërues, me një numër total prej 93 667 individësh”.

“Vendnumërimet me numrin më të madh të shpendëve rezultojnë të jenë zona e Divjakë–Karavastasë, liqeni i Shkodrës dhe Kune-Vain, të cilat konsiderohen ndër ligatinat më të rëndësishme për shpendët ujorë në vend. Konkretisht nga numërimi i kryer në Divjakë-Karavasta rezultuan 24 152 shpendë, në Vjosë Nartë 11 136 shpendë, në Liqenin e Shkodrës 17 432 shpendë dhe në Kune Vain 8736 shpendë”, tha Spahiu.
Sipas saj, gjatë censit janë identifikuar edhe disa specie të kërcënuara, mes të cilave pelikani kaçurrel, karabullaku i vogël, çafka e bardhë e vogël, çafka e madhe e bardhë, murrcaku, sqepbiza, pulëbardha rozë, pulëbardha këmbëverdhë dhe dallandyshja e detit e madhe.

Censi Ndërkombëtar i Shpendëve Ujorë Dimërues realizohet në Shqipëri që nga viti 2016 nga AKZM në bashkëpunim me ekspertë ornitologë.
Sipas të dhënave ndër vite rezulton se në vitin 2016 u regjistruan 60 specie me 98 564 individë, ndërsa numri më i lartë i individëve është shënuar në vitin 2017, me 165 268 shpendë nga 64 specie.

“Prezenca e shpendëve ujorë dimërues në vendin tonë, është e lidhur me kushtet e motit në vendet nga ku nisen drejt vendit tonë. Sa më të larta temperaturat në këto vende aq më i vogël është numri i këtyre shpendëve që monitorohen në vendin tonë”, tha Spahiu.
Censi i Shpendëve Ujorë Dimërues është një aktivitet shkencor që ndikon drejtpërdrejt në menaxhimin e qëndrueshëm të habitateve natyrore dhe kontribuon në ruajtjen e biodiversitetit të pasur të Shqipërisë./ATSH





