Policia e Kurbinit ka vënë në pranga shtetasin K.Ll., i cili ishte shpallur në kërkim pasi njëri prej punëtorëve në subjektin në pronësi të 53-vjeçarit, humbi jetën.
Disa ditë më parë, u raportua se gjatë punës në një subjekt në Skuraj, shtetasi F. H ishte rrëzuar nga lartësia dhe si pasojë humbi jetën në spital.
Sipas njoftimit të bluve, dyshohet se shtetasi F. H. u rrëzua si pasojë e shkeljes së rregullave të mbrojtjes në punë, në subjektin në pronësi të 53-vjeçarit dhe vëllait të tij.
Gjithashtu dyshohet se shtetasi K. Ll. ka hequr pajisjen DVR të kamerave të subjektit, me qëllim pengimin e zbulimit të së vërtetës së këtij rasti.
Njoftimi i plotë i policisë:
Në vijim të informacionit të dhënë më datë 23.11.2024, se gjatë punës në një subjekt në Skuraj, ishte rrëzuar nga lartësia, shtetasi F. H., i cili si pasojë humbi jetën, në spital, ju bëjmë me dije se si rezultat i kontrolleve, Komisariati i Policisë Kurbin kapi dhe ndaloi shtetasin e shpallur në kërkim, K. Ll., 53 vjeç, banues në Fushë Mamurras.
Nga hetimet dyshohet se shtetasi F. H. u rrëzua si pasojë e shkeljes së rregullave të mbrojtjes në punë, në subjektin në pronësi të 53-vjeçarit dhe vëllait të tij. Gjithashtu, dyshohet se shtetasi K. Ll. ka hequr pajisjen DVR të kamerave të subjektit, me qëllim pengimin e zbulimit të së vërtetës së këtij rasti. Pajisja DVR u gjet nga Policia dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale. Vijon puna për kapjen e bashkëpronarit të subjektit, si dhe të drejtuesit teknik të tij.