Gjykata e Posaçme e Apelit ka lënë në fuqi dënimin me 14 vjet burg për Arbër Çekajn, për trafikimin e sasisë rekord të kokainës së kapur ndonjëherë në vendin tonë prej 613 kg.
Apeli la gjithashtu në fuqi dënimin me 8 vite e 8 muaj burg, për shoferin e kamionit që transportoi kontenierët nga Porti i Durrësit drejt kompanisë “Arbi Garden”, Armando Pezakun, ndërsa menaxheri i kompanisë Donaldo Lushaj u dënua me 10 vite e 8 muaj burg.
Prokuroria e akuzoi Çekajn si organizator të trafikut të kokainës nga Kolumbia në Shqipëri. Lënda narkotike u zbulua në shkurt të 2018-s në Maminas, pasi ishte fshehur në kontejner me banane që ishin porositur nga Çekaj.
Kujtojmë se pak kohë më parë u arrestua edhe Selim Çekaj, babai 72-vjeçar i Arbër Çekajt, i akuzuar po për trafik droge. Ai u arrestua në prill, pasi në një kontejner me banane të porositur prej kompanisë së administruar prej tij në Ekuador u gjetën 49 kg kokainë.





