KAPSHTICE, 13 prill 2013- 620 kg lëndë narkotike kanabis sativa është sekuestruar në pikën e kalimit kufitar të Kapshticës në Korçë.

Gjatë një kontrolli rutinë në një kamion frigoriferik policia kufitare shqiptare ka gjetur sasinë e madhe të lëndës narkotike. 

Transportuesi i saj, shtetasi grek Ilias Aslanidhis është ndaluar nga policia.

Pas marrjes në pyetje rezultoi se lënda narkotike ishte marrë në Lazarat dhe destinacioni i saj ishte shteti grek.

Droga ishte e presuar dhe e paketuar në 390 pako.

Drejtuesi i kamionit frigoriferik i ishte shmangur doganës së Kakavijës me shpresën se do të mund të kalonte më me lehtësi në atë të Kapshticës. 

Por gjatë kontrollit të policisë kufitare në dyshemenë e kamionit u zbuluan pakot me kanabis.

Në orët e para të mëngjesit të sotëm, kamioni frigoriferik është marrë në dorëzim nga seksioni i luftës kundër drogës pranë drejtorisë së policisë në Korçë.