636 turistë amerikanë kanë mbërritur ditën sotme në Portin e Durrësit me kroçierën “Sirena”.

Sipas të dhënave nga Qendra e Informacionit në Autoritetin Portual, anija turistike me gjatësi 180 metra u akostua mëngjesin e sotëm në kalatën 5 të portit më të madh të vendit.

Sipas të njëjtave burime, kroçiera “Sirena” po kryen një tur në disa qytete turistikë të detit Mesdhe dhe u ndal në Durrës pas vizitës në Argostoli (Greqi).

Gjatë qëndrimit të anijes turistike në Durrës, turistët e huaj do të vizitojnë qytetet e Tiranës, Krujës, Beratit dhe Durrësit dhe pas qëndrimit ditor në qytetin antik, kroçiera do të vijojë lundrimin drejt Dubrovnikut (Kroaci).