64 punëtorë të kompanisë së ngarkim shkarkimit “Liburnet” janë hedhur në protestë, si pasojë e mosmarrjes së pagës prej dy muajsh. Punëtorët shprehen se kompania e tyre ka bllokuar aktivitetin, ndërsa pagat dhe sigurimet e tyre kanë disa muaj që nuk paguhen nga punëdhënësi, i cili është larguar nga kompania, ndërsa punonjësit e administratës nuk u japin asnjë shpjegim.

Kompania  e ngarkim shkarkimit “Liburnet 1” u ble në fillim të vitit nga katër aksionerë, gati e falimentuar dhe me një borxh prej 510 milionë lekësh, fatura të papaguara në vite ndaj Autoritetit Portual të Durrësit ndërsa numëronte  rreth 70 punëtorë pa përfshirë administratën e saj. Burime nga kjo kompani bëjnë me dije se deri në fund të 2011, pagesa e faturave ndaj APD bëhej brenda një harku kohor prej 90 ditësh. Me vendimin e ri pagesat duhet të bëhen brenda 20 ditësh.

Por si masë ekstreme për të gjithë debitorët që nuk do të paguajnë faturat brenda afateve të përcaktuara, (40 ditë kalendarike) ose kanë plotësuar limitin e debisë prej 10 milion lekë i ndalohet përdorimi i portit deri në likuidimin e plotë të detyrimit. Krahas kësaj kjo kompani duhet të paguante me këste të detyrueshme edhe borxhin e akumuluar, por pa kamatëvonesë, sipas një grafiku të përcaktuar. APD i ka bllokuar aktivitetin kësaj kompanie, pasi ajo ka dështuar në pagesën në kohë të borxhit.

“Në këtë periudhë krize mungesa e likuiditetit në treg nga të gjitha llojet e bizneseve është e madhe. Nëse ne merrnim përsipër të shkarkonim anijen me mallra, brenda 20 ditëve duhet të paguanim detyrimin prej 55% tek APD, ose në të kundërt puna bllokohet. Subjektet që operojnë në portin e Durrësit paguajnë me vonesë faturat e mallit.

Kjo ka sjellë edhe si pasojë mosshlyerjen në kohë të faturave ndaj APD”,- bënë me dije burime nga kjo kompani. Në kontratën e nënshkruar midis APD dhe kompanisë  Liburnet ka një klauzolë ku specifikohet se për 2 vjet duhet të paguhet shuma  prej 510 milionë lekësh e mbartur nga vitet e shkuara, pa kamatëvonesë, në bazë të kësteve të përcaktuara. “Kjo kompani prej gjashtë muajsh nuk i ka paguar detyrimet e për pasojë APD i ka bllokuar aktivitetin”,- thonë burime portuale.

Kontrata me APD

Në  kontratën dypalëshe me Autoritetin Portual, për të mënjanuar procedurat burokratike dhe për t’i krijuar lehtësira administratës, APD ka vendosur që kompanitë e ngarkim shkarkimit të bëjnë edhe rolin e agjentit për mbledhjen e detyrimeve kundrejt shërbimeve që kryhen së bashku me portin tek anijet apo edhe tek kompanitë eksportuese apo ato importuese.

Madje APD vendos sanksione nëse këto kompani nuk i mbledhin në kohë paratë e shërbimit. Kontrata e këtij viti midis Autoritetit Portual të Durrësit dhe kompanive të shkarkimit është e njëjtë dhe të tre kompanitë e ngarkim shkarkimit kanë të njëjtat tarifa të vendosura nga APD në mallrat rifuxho dhe mallrat e tjerë.

Nga tre kompani që vijonin aktivitetin në këtë shërbim kanë mbetur vetëm dy prej tyre “Egnatia” dhe “SCT”. Kompania  S.C.T., një bashkëpunim gjermano shqiptar, u fut në treg me një normë fitimi 5% më shumë se dy kompanitë ekzistuese të përpunimit të mallrave në portin e Durrësit dhe vetëm 2 vitet e parë të aktivitetit të saj ka thithur rreth 70% të këtij tregu në Portin më të Madh të vendit. 2 kompanitë ekzistuese në këtë shërbim që prej vitit 2000, “Egnatia” dhe “Liburnet” futjen e operatorit të tretë në këtë shërbim e konsideruan si të  favorizuar ekonomikisht, megjithëse gjatë vitit 2012, kontratat u bënë midis kompanive dhe APD pa favorizuar asnjë prej tyre.

Musa Elmazi:

Po më djegin pensionin

Kemi pesë muaj që jemi pa punë dhe dy muaj pa marrë rrogat. Problemi qëndron këtu. Kompania jonë para rreth një viti u shit dhe ne u bëmë me pronarë të rinj. Kompania ka patur një borxh të konsiderueshëm, ndaj APD, të grumbulluar nga vitet e shkuara, i cili po të paguhej me këste nga pronari i ri që e mori kompaninë. Ne jemi 64 punëtorë që kemi të njëjtin hall. I kemi bërë një kërkesë me shkrim Autoritetit Portual të Durrësit dhe bordit drejtues të kompanisë. Nuk kemi marrë përgjigje me shkrim, por vetëm me gojë. Përgjigja na ka ardhur negative. Ne kërkuam që të zhvillonim një takim me drejtorin e portit Eduara Ndreu, por takimin na e ka shtyrë për këtë javë. Unë kam 40 vjet që punoj dhe për gjashtë muaj dal në pension, por nuk po më paguajnë sigurimet shoqërore. Për 6 muaj do më djegin pensionin, rrogën nuk e kemi marrë. Pjesa më e madhe e të gjithë shokëve këtu kanë nga 30 vjet punë në portin detar.

Dritan Basha:

Marrim 2 mijë lekë në muaj

Nuk ka ku shkon më keq jemi pa punë e pa rrogë. Na kanë vajtur listat e borxheve në dyqane nuk i lajmë dot as për një vit tjetër. Puna na është bllokuar nga Autoriteti Portual, sepse kompania duhet të paguajë këstet  e portit. Kemi 5 muaj fiks pa punë. Sigurimet shoqërore mendojmë se na i kanë paguar deri në muajin korrik, por më vonë nuk e dimë çfarë kanë bërë. Deri para dy muajsh jemi paguar me 75 mijë lekë të vjetra, në muaj dhe nga kjo shumë besojmë që janë mbajtur edhe sigurimet shoqërore. Në dorë na kanë dhënë nga 20 mijë lek të vjetra.