Arti dhe Muzika ishin kryefjala e mbrëmjes së të shtunës në amfiteatrin e Durrësit.

65 muzikantë nga 15 vende të ndryshme europiane gërshetuan muzikën me historinë, dhe nën një qiell veror dhuruan një mbrëmje magjike për vendasit e të huajt.

“Kjo ka qenë një nga nismat tona, që t’i mbledhim edhe muzikantët nga vende të tjera, jashtë Ballkanit Perëndimor, që të jenë bashkë me ne, që të rrugëtojmë bashkë.

Pra, ka qenë një nismë politike në këtë rast, por duke e shoqëruar patjetër edhe me muzikë e kulturë, që ne e kemi pjesë të profesionit tonë”, u shpreh Desar Sulejmani, dirigjent dhe njëherësh drejtor artistik i orkestrës.

Me artistë nga Kosova, Serbia, Bosnjë-Hercegovina, Gjermania etj., ky koncert orkestral tregoi edhe njëherë tjetër, se muzika ka fuqinë të bëjë bashkë çdokënd.

“Unë jam nga Bosnje-Hercegovina. Për mua ishte një eksperiencë e mrekullueshme, sepse unë e adhuroj historinë, pra edhe këtë amfiteatër dhe sidomos muzikën në ambient të hapur. Jam shumë e lumtur, që ky është vetëm fillimi i rrugëtimit tonë”, thotë Kristina Rokvic, violiniste e dytë.

Marigona Komani, violinçeliste, thotë se “është një ndjenjë shumë e mirë të luash me muzikantë të rinj që vijnë nga shtete të ndryshme. Është kënaqësi për ne që luajmë këtu në Durrës, në Amfiteatrin Romak”, ndërsa shton se “ka qenë një javë e mirë, e lodhshme sigurisht, mirëpo kur rezultati është i mirë edhe puna harrohet. Thjesht jemi kënaqur.

Me dhjetra artdashës durrsakë, përfaqësues të trupës diplomatike në Tiranë dhe turistë në publik, trupa e nisi rrugëtimin nga Durrësi me shumë duartrokitje ndërmjet pjesëve.

Rrugëtimi artistik do të vijojë me koncertet në Maqedoninë e Veriut, Kosovë, Mal të Zi, Serbi dhe Bosnjë-Hercegovinë, për ta mbyllur më pas me Gjermaninë dhe Essen-in.

K.Gj.