2017 që u mbyll, shënoi një epokë të re për teatrin e Durrësit, i cili lavdinë e tij e ka në skenë, teksa salla për çdo shfaqje është plot. Spektatori është kthyer në teatër si kurrë më parë, duke gjetur aty emocionin e vërtetë të të parit e të ndjerit të një shfaqje.

Drama “Askushi” i Bashkim Hoxhës, drama “Natë Misterioze” nga Ferdinant Hysi me regji të Ben Apollonit, “8 femrat” me regji të Driada Dervishit, festivali i fëmijëve “Giffoni”, premiera për fëmijë “Kopellia” “Shirli Valentina””Boing boing”e shumë e shumë të tjera shfaqje kanë korrur sukses të madh e kanë mbajtur për net me radhë frymën e artdashësve durrsakë.

Shfaqjet e planifikuara kanë shtyrë edhe më tej datat e tyre, për shkak të interesit të madh të publikut durrsak, kur kanë gjetur sallë të lirë, ndërsa më pas trupa e aktorëve kanë shkuar nga një qytet në tjetrin, për tu ndjekur po ashtu me të njëjtin interes. Teatri është kthyer në folenë e ngrohtë të një argëtimi cilësor në Durrës.

Strategjia e ndjekur nga drejtori Bashkim Hoxha për bashkëpunime me trupat e teatrit jo vetëm brenda vendit por edhe nga Kosova kanë gjetur terrenin e përshtatshëm për të arritur sukses. Artdashësit kanë përjetuar emocionet e thella që dinë të krijojnë regjisori dhe aktorët, magjinë që përcjellin efektet e ndriçimit e dekoret e realizuara, muzika dhe efektet speciale. Nesër në 11 janar, teatri "Aleksandër Moisiu" në Durrës do të kujtojë 65-vjetorin e themelimit.  Në teatër pritet një ceremoni për këtë ditëlindje, me pjesëmarrje edhe të autoritete vendore.

Infromacione rreth shfaqjeve të vendosura në skenën e teatrit "Aleksandër Moisiu", Durrës.

KINEMAJA E VJETËR – SKENA E PARË

Skena e sallës që më vonë mori emrin “Kino 14 Nëntori” u bë mikpritësja e parë e teatrit profesionist të Durrësit që nga 11 janari i vitit 1953. Shumica e aktorëve themelues nuk jetojnë më, ndërsa disa nga spektatorët e atyre viteve tashmë të thinjur kujtojnë radhët e gjata për bileta në pritje të mbrëmjes kur bashkëqytetarët e tyre aktorë shndërroheshin papritmas në personazhe nga më të ndryshmit e më të çuditshmit.

Nikolin Xhoja, do të bëhej një nga aktorët më të shkëlqyer të komedisë shqiptare, i pavdekshëm më pas edhe në ekranin e kinemasë me rolin e xha Beqos në filmin “Kapedani”. Ndërsa  , Tod Thanasi, një nga intepretët më të mirë të karaktereve të spikatura, një prej të cilëve në dramën “Mulliri i Kostë Bardhit”. Që të ishin të padiplomuar në shkolla arti, njëlloj si kolegët e tyre që i dhanë jetë premierës “Vajza nga fshati” të autorit të njohur Fatmir Gjata.

Ishte 12 prill 1953 dhe trupa e re profesioniste, nën drejtimin e kryeregjisorit të Teatrit Popullor, Pandi Stillu, do të korrte duartrokitjet e para. Kjo komedi u shfaq 44 herë dhe ndoq nga 19.648 shikues, dëshmojnë statistikat e teatrit. Rruga ishte çelur.

Regjisorët Panajot Kolo, Sokrat Mio, Misto Zoto, Kadri Pirro, Haxhi Rama, Mario Ashiku, Kujtim Spahivogli, Serafin Fanku, Enver Plaku, Driada Dervishi, etj. kanë sjellë në skenën e teatrit “A. Moisiu” drama dhe komedi mjaft të dashura për publikun shqiptar si “Prefekti”, “Martesa”, “I sëmuri imagjinar”, Kartela e verdhë”, “Pulëbardha”, “Vjehrra dhe nusja”, “Prindër edukatorë”, “Ylli pa emër”, “Rrënjët”, “Njerëz mbi shkëmb”, “Familja e Peshkatarit”, “Dreqnit e Kënetës”, “Dredhitë e Skapenit”, “Çështja e Ivanovit”, “Votra e Huaj”, “Festa e Fenerëve”, “Invadimi”, “Hijet e Natës”, “Shërbëtori i Djallit”, “Mulliri i Kostë Bardhit”, “Çështja e inxhinier Saimirit”, “Karnavalet e Korçës”, “Koha e komisarëve”, “Ylli pa emër”, “Revizori”, “Një shok i klasës sime”, “Mirëserdhe Elona”, “Pulëbardha”, “Stacioni i fundit”, “Qyteti pa dashuri”, “Hotel Ballkan”, “Shokë lufte”, “Dështimi i një kryqëzate”, “Aeroporti”, “Nusja e humbëtirës”, “Besëlidhja shqiptare”, “Dorina”, “Gërsheti i luftërave”, “Tri ditët e kiametit”, “Trokitje në dyert e dhimbjes”, “Të jesh nënë”, “Dy vëllezër e gjysmë”, “Vajza pa prikë”, etj.

Shumë nga aktorët e teatrit “Aleksandër Moisiu” janë bërë të njohur në shkallë kombëtare përmes interpretimeve dhe individualitetit të spikatur artistik.

Loja aktoriale dhe nuri skenik i Artistit të Popullit, Nikolin Xhoja në rolin e Podgolisenit te “Martesa” e Gogolit njihet si një nga majat e intepretimit të komedisë.  Ndërsa “Nderi i Kombit”, Mirush Kabashi pas formimit dhe kontributit 23-vjeçar në këtë teatër u nderua me çmimin e parë në Festivalin e teatrit eksperimental në Kajro për monodramën “Apologjia e vërtetë e Sokratit”.

Bashkëshortët Vera dhe Spiro Urumi, Vangjel Heba, Lutfi Hoxha, Marta Burda, Filika Dimo, Guljelm Radoja, Liri Lushi, Ali Bega, Xhevdet Ferri, etj. janë disa nga aktorët e tjerë mjaft të vlerësuar që i dhanë këtij institucioni një vend të nderuar në teatrin tonë kombëtar. Bashkë me regjisorët dhe aktorët një meritë të veçantë në suksesin e teatrit kanë pasur edhe skenografët Zef Ujkaj, Ilia Rota, Fatos Mati, Thanas Popi, etj. si dhe punonjësit e “prapavijës” siç thirren edhe sot sektorët e dekorit, ndriçimit, fonisë dhe rekuizitës, pa të cilët shfaqjet teatrale nuk do të ishin të plota.

Veprimtaria e teatrit “Aleksandër Moisiu” lidhet kryesisht me godinën  aktuale të saj, e cila është përuruar  më 8 shkurt të vitit 1965. Salla me cilësi shumë të mira akustike dhe e pajisur me aparaturat e domosdoshme teatrale jo vetëm që i dha një impuls të ri punës së trupës, por afroi gjithnjë e më shumë spektatorë. 

Aleksandër Moisiu aktori shqiptar me famë Botërore e shtriu veprimatrinë në vendet gjermanishtfolëse  në fillim të shekullit 19, duke u bërë shpejt një prej aktorëve më të adhuruar për zërin dhe talentin e tij. Sot adhurohet dhe respektohet sidomos në Shqipëri si një ndër aktorët më të mëdhenj të vendit, edhe pse ai që nga rinia e tij më nuk e vizitoi Shqipërinë. Shkolla e aktrimit në Tiranë, Universiteti i Durrësit, shkolla e mesme e pergjithshme në Kavajë dhe teatri i Durrësit e mbajnë emrin e tij.