Nga Gëzim Kabashi

Muzeu arkeologjik i Durrësit është krijuar në vitin 1951, para 65 vjetësh. Bashkë me 100-vjetorin e zbulimit të mozaikut të njohur me emrin “Bukuroshja e Durrësit” dhe 50-vjetorin e zbulimit të amfiteatrit antik, 65-vjetori i themelimit të muzeut arkeologjik është përvjetori i tretë i rëndësishëm gjatë këtij viti për trashëgiminë kulturore të qytetit të lashtë.

Këto data janë piketa mjaft domethënëse për ndërmarrjen e një hapi cilësor nga ana e qeverisë dhe institucioneve qendrore të kulturës dhe të shumëpritur nga intelektualët durrsakë: njohjen e statusit kombëtar për muzeun arkeologjik të Durrësit.

Dy vjet më parë në ceremoninë e përurimit të muzeut të restauruar, kryeministri Rama e përkufizon “një muze kombëtar arkeologjik”. “Ky këtu është muzeu më i madh dhe më i vërtetë në Shqipëri”, tha dy vjet më parë Edi Rama, duke lënë të kuptohet nisjen e procedurave për ta shpallur “Muze Kombëtar”. Në eksponatet e këtij muzeu janë vendosur 3204 objekte të periudhës së antikitetit, koha më e lavdishme e qytetit bregdetar. Tashmë numri i vizitorëve është rritur ndjeshëm dhe shumë më tepër ndjehet interesi i turistëve vendas dhe të huaj për t’u njohur me faktet arkeologjike dhe historinë e qytetit 3000-vjeçar.

Statusi i muzeut kombëtar do t’i jepte pavarësinë e duhur këtij institucioni, që mund të kthehet edhe në një shkollë të vërtetë për arkeologët e ardhshëm. Ai do të bëhej pjesë e rrjeteve muzeale evropiane dhe më gjerë, duke shkëmbyer përvojë dhe teknologji.

Amfiteatri dhe Muzeu, binomi arkeologjik

Dy vitet e fundit kanë sjellë ndryshime thelbësore në trajtimin e qendrave arkeologjike të qytetit bregdetar.

Në amfiteatrin 1900-vjeçar ka nisur procesi i shpronësimit të banesave që ndodhen mbi arenë. Pas prishjes së tri banesave të para pritet edhe shpronësimi e prishja e 5 godinave të tjera 1-2-katëshe. Hapja e arenës së monumentit më të madh të antikitetit në vendin tonë do të jetë ndërmarrja më me vlerë, pas zbulimit të shkallareve dhe galerive të amfiteatrit në vitin 1966-1970. Ekspeditat e ardhshme do të vijojnë punën e nisur nga prof. Vangjel ToçI, arkeologu i mirënjohur, emri i të cilit lidhet me shumicën e zbulimeve të rëndësishme në Durrës, por edhe me krijimin e Muzeut Arkeologjik në vitin e largët 1951.

Siç thotë edhe kryeministri Rama, “muzeu është dëshmitar i veprimtarisë së një plejade të shquar arkeologësh shqiptarë, që vendosën disa gurë të rëndë themeli në inekzistente shqiptare. Ndër ta padyshim është meritë e arkeologut Vangjel Toçi, krijimi I këtij muzeu, si dhe zbulimi I monumenteve të njohura”.

Një emër që nuk mund të anashkalohet kurrsesi ai I Bashkëpunëtorit të vjetër shkencor Vangjel ToçI dhe që do ti bënte nder muzeut arkeologjik të Durrësit.

Si u krijua muzeu arkeologjik

Muzeu i parë arkeologjik në Durrës është hapur më 13 mars të vitit 1951. Ishte nisma e intelektualit Vangjel Toçi, i cili deri në atë kohë ishte bërë mjaft i njohur në Durrës edhe si krijuesi i bibliotekës së qytetit më 10 shtator 1945 dhe që vendosi në eksponatet e muzeut të ri koleksionin e objekteve që kishte mbledhur me shumë kujdes dhe me mbështetjen e dhjetëra qytetarëve durrsakë.

Objektet e para qenë vendosur në një vilë 2-katëshe, që njëlloj si godina e muzeut të ri ndodhej në shëtitoren “Taulantia”. Një emër që kujton banorët ilirë të cilët u bënë bërthama e qytetit, që fillimisht u thirr Epidamn e Dyrrah e në kohët e vona Durrës, ashtu siç e quajmë edhe ne tani.

Ndërtesa e muzeut të parë arkeologjik rrethohej nga dy oborre të mëdha, me dy portikë krejtësisht origjinalë.

Perimetrin e oborrit të parë e zbukuronte portiku i Xhamisë së Kavajës, që pas viteve 1990 u rikthye në qytetin ku ishte marrë 25 vjet më parë, ndërsa streha me monumente e oborrit tjetër mbante në mes një nga lulishtet më të bukura të qytetit tonë. Një shembull për tu admiruar.

Edhe projekti i muzeut aktual lidhet me emrin e arkeologut Vangjel Toçi. Planet për ndërtimin kishin nisur që në fillim të viteve 1980, por dalja e tij në pension dhe përkeqësimi i buxhetit financiar të shtetit e shtynë për një kohë mjaft të gjatë realizimin e tij. Punimet e fundit janë kryer në fillim të shekullit të ri dhe përurimi i godinës mban datën 12 prill 2002.