“Ka një botë të vogël që është skena dhe një skenë të madhe që është bota”! Sot teatri i Durrësit “Aleksandër Moisiu” feston 67 vite jetë.
Regjisorja durrsake Driada Dervishi, duke uruar ditëlindjen e teatrit të saj të dashur, shprehet e lumtur që këtë ditëlindje, ta festojnë me shfaqje. Komedia “REVIZORI” e luajtur nga trupa e Durrësit, e cila po shfaqet në skenën e “Artubina” prej datës 9 janar, pritet të vijë edhe sot e nesër me sukses te publiku, ndërsa interesi ka qenë i madh, pasi biletat janë shitur të gjitha.
Urimi i Driada Dervishit:
Gëzuar ditëlindjen Teatri im i dashur ” Aleksandër Moisiu” E lumtur që këtë ditëlindje, të 67 tënden, e festojmë me shfaqje, duke qenë se janë shfaqjet dhe publiku ato që ta shtojnë jetën! Faleminderit për gjithë “udhëtimet” e bukura që më ke mundësuar përmes autorëve të mëdhenj që na transportojnë nga Anglia në Itali, nga Rusia në Amerikë, nga Franca këtu në Shqipëri; faleminderit për dashurinë e urrejtjen, gëzimet e trishtimet, miqësitë e armiqësitë, dështimet e sukseset, mirënjohjen e mosmirënjohjen, duartrokitjet e shumë e shumë ndjesi të tjera, që ndoshta në një profesion tjetër nuk do i provonim me kaq shumë intensitet…
Ju ftoj të gjithëve të mos humbisni asnjë shfaqje teatri, duke mos e humbur rastin të udhëtoni dhe ju me ne përmes kësaj “kutie” që përcjell shumë realitete!
Jetë të gjatë Teatrit “Aleksandër Moisiu”! Nderim për të gjithë ikonat e rrugëtimit tënd!
REVIZORI për sonte dhe nesër #soldout