Shoqata e gjuetarëve “Pali Rroço” e Durrësit është e para shoqatë gjuetarësh e themeluar në Shqipëri, që në vitin 1948. Këto ditë, shoqata ka organizuar në galerinë e arteve pamore “Nikolet Vasia”, një ekspozitë retrospektive me fotografi të shumëllojëshme, të cilat janë njëkohësisht edhe piketat historike të kësaj shoqate.
Në përurimin e saj ka marrë pjesë edhe Presidenti i Federatës së Përgjithshme të Gjuetisë në vendin tonë, Thimi Perri.
Gjatë ceremonisë së çeljes së fotoekspozitës janë nderuar me çertifikata mirënjohjeje për promovimin e vlerave të gjuetisë, sekretari i shoqatës se Durrësit, Vasil Aleksi si dhe kryetari i saj, Asti Hanxhari.
Lidhur me organizimin e kësaj fotoekspozite Vasil Aleksi thotë për DurrësLajm se në të janë përfshirë foto që mbajnë vulën e 7 dekadave më parë. Në ketë fotoekspozitë janë ekspozuar rreth 180 fotografi, që përfshijnë një periudhë kohore të gjatë.
Në ekspozitë janë edhe disa foto të gjuetarëve italianë, të cilët kanë dhënë kontribut në vitet 30-të për ngritjen e industrisë mekanike të qytetit të Durresit, por që ishin edhe gjuetarë të apasionuar.
Në përurimin e saj ka marrë pjesë dhe ka përshëndetur edhe Prefekti i Qarkut të Durrësit, Emiljan Jani.
K.H.