Kulla Veneciane apo Torra siç njihet nga durrsakët është mes Monumenteve të Kulturës që do të rijetësohen dhe restaurohen në kuadër të programit EU4Culture, i cili nisi si iniciativë e BE-së pasi qyteti bregdetar u godit rëndë nga tërmeti i 26 nëntorit 2019.
Në buletinin e Ministrisë së Kulturës bëhet e ditur se rijetësimi i Torrës do të realizohet përmes një fondi, që kap vlerën rreth 690 mijë euro.
Duke iu referuar buletinit, “DurrësLajm” mëson se ndërhyrja e parë që do të realizohet në monument do të jetë hidroizolimi i çatisë.
“Më tej, fasada e Kullës do t’i nënshtrohet pastrimit të kujdesshëm nga bimësia dhe papastërtitë. Në brendësi të Kullës do të realizohet nxjerrja në dritë e dyshemesë autentike prej guri, e cila do të konservohet dhe restaurohet”,- thuhet në buletinin e Ministrisë së Kulturës.
Monumenti do të pajiset me sisteme të reja mekanike, elektrike dhe pajisje teknologjike, ashtu siç pati paralajmëruar programi EU4Culture kur prezantoi për herë të parë në muajin nëntor 2021 ndërhyrjet në objekt.
Qëllimi i programit të Bashkimit Evropian është që ta shndërrojë Kullën Veneciane në një qendër interpretimi të trashëgimisë kulturore, e cila do të ofrojë:
1 – Vizita dhe eksplorime të kullës bazuar në aplikacione.
2 – Performanca dixhitale, të cilat do të jenë gjithëpërfshirëse e do të shfaqen disa herë në ditë.
3 – Pamje interaktive nga tarraca e çatisë nëpërmjet periskopëve dixhitalë, etj.
Në faqen zyrtare të programit Eu4Culture Albania në rrjete sociale janë publikuar edhe disa foto të Kullës Veneciane, sesi pritet të transformohet ajo pas ndërhyrjes për rijetësimin e saj.