ROME 11 mars 2013– Një tjetër aksion i policisë italiane ka bërë të mundur zbulimin e 7,4 kg heroinë, të cilat ishin fshehur në një automjet me targa italiane, që kishte zbarkuar në portin e Ankonës nga një traget i nisur nga Greqia. Drejtues i automjetit ishte një shtetas shqiptar, që banonte prej vitesh në Milano.

Gjatë kontrollit policor, shqiptari, identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur,  ka deklaruar para forcave të rendit se kishte shkuar në Shqipëri për të gjyshen e tij, 80 vjeçare, e cila ndodhej së bashku me nipin në automjet.

Por policia duket se nuk ka mbetur e bindur nga shpjegimi i dhënë nga shqiptari e për këtë arsye ka nisur kontrollin e imtësishëm në automjet.

Efektivët e doganës italiane kanë zbuluar 14 pako me heroinë, të fshehura në pjesë e brendshme të automjetit. Lënda narkotike, e cila në treg kap vlerën 1.5 milion euro, ishte mbështjellë me ngjitës dhe ishte lyer me pastë dhëmbësh. Policia italiane ka prangosur shtetasin shqiptar dhe ka sekuestruar automjetin e drejtuar prej tij.

/m.b. Agjencia e lajmeve ”Dyrrah”/