Gjatë 72 orëve të ardhshme në kalatat e portit të Durrësit pritet të ankorohen 7 anije tregtare me mallra të ndryshme.
Nga Qendra e Informacionit në APD, mësohet se në gjashtë prej anijeve do të përpunohen afro 25 mijë ton mallra të ndryshme, 9.600 prej të cilave mallra për eksport. Po ashtu në kalatën 6 parashikohet të ankorohet nesër një anije e specializuar me 450 kontejnerë gjithsej.
Tre nga anijet që priten brenda së premtes do të përpunohen në kalatat 1, 4 dhe 5 të Terminalit të Mallrave Gjenerale (Terminali Perëndimor), ndërsa të tjerat në Terminalin Lindor.
Mësohet gjithashtu se anijet do të shkarkojnë vaj luledielli, nitrat, skrap dhe kripë, ndërsa dy anije të tjera do të ngarkohen me 9.600 ton çimento për eksport gjithsej, prodhim "Made in Albania".
Sot në portin më të madh të vendit po përpunohen dy anije me 5.200 ton ure' dhe 2.000 ton sojë, ndërsa në radën portuale ka mbërritur anija “NCC Sirios” e cila do të ngarkohet me 5.500 ton çimento për eksport.