VENEZUELË, 06 mars 2013- –Presidenti venezuelian, Hugo Chavez vdiq dje në mbrëmje vonë në Karakas si pasojë e një kanceri, njoftoi në televizionin shtetëror zëvendëspresidenti, Nicolas Maduro.
"Ne morëm njoftimin më tragjik dhe më sfidues që duhet t'ia themi popullit tonë. Në orën 20:55 GMT, sot më 5 mars, vdiq presidenti ynë, Hugo Chavez Frias pasi luftoi ashpër për të paktën dy vjet kundër një sëmundjeje'', deklaroi Maduro i përlotur.
7 ditë zi për presidentin Hugo Chavez
Akrivoli i presidentit venezuelian, Hugo Chavez, i cili vdiq dje në mbrëmje vonë, do të ekspozohet sot në hollin e Akademisë Ushtarake në Karakas, përpara funeralit kombëtar që do të zhvillohet të premten, njoftoi ministri i Jashtëm venezuelian, Elias Jaua, i cili shtoi se presidenca e vendit kishte dekretuar shtatë ditë zi kombëtare.
"Homazhet do të zhvillohen në Akademinë Ushtarake, sot, të enjten dhe të premten'', deklaroi Jaua. "Të premten në orën 10:00 do të zhvillohet ceremonia zyrtare e funeralit'', shtoi ai.
Kush ishte Hugo Chavez
Hugo Rafael Chavez Frias lindi më 28 korrik të vitit 1954 në shtetin e Barinasit në Venezuelë. Ishte një nga shtatë fëmijët e një familje mësuesish të varfër.
Arsimin fillor dhe atë të mesëm e kreu në vendlindje, ndërsa më pas u hodh në Akademinë Shkencore Ushtarake në Karakas.
Aty Chavez do të shndërrohej në një njohës të mirë të politikave të majta dhe me figurat revolucionare amerikano-latine si Simon Bolivar apo Che Guevara.
Ai i është bashkuar ushtrisë më vitin 1975 dhe ka udhëhequr një njësi elite parashutiste.
Në kohën kur ka qenë në ushtri, Chavez u është bashkuar oficerëve të tjerë për të formuar fshehurazi Ushtrinë Popullore Çlirimtare dhe ka nisur të takojë liderët e opozitës së majtë. Më vonë ai ka formuar Lëvizjen Revolucionare Bolivariane.
Karriera ushtarake e Chavezit, një pjesë të së cilës e ka kaluar duke luftuar kundër kryengritësve të majtë, ka zgjatur 17 vjet.
Në vitin 1992, ai ka udhëhequr një grusht-shtet të pasuksesshëm ushtarak, pas të cilit është dënuar me dy vjet burgim, së bashku me mijëra mbështetës. Më vonë, Chavez është falur.
Pas lirimit, ai ka formuar një parti të majtë politike, të quajtur Lëvizja e Republikës së Pestë (MVR), ndërsa fitoren bindëse në zgjedhjet presidenciale të vitit 1998 e ka arritur falë pakënaqësisë së madhe të qytetarëve me elitën “e korruptuar” politike.
Ai ka qenë presidenti më i ri i zgjedhur në historinë e Venezuelës. Kushtetutën e ka “transformuar” duke i siguruar vetes autoritet më të madh, ndërsa emrin e vendit e ka ndryshuar në Republika Bolivariane e Venezuelës. Ndryshimi i kushtetutës në referendum ka marrë 88 për qind të mbështetjes së publikut.
Chavez, i cili shpesh është shfaqur në publik me bluzë të kuqe, ka kritikuar kapitalizmin. Pasurinë nga nafta e ka përdorur për t’iu ndërtuar banesa qytetarëve me të ardhura më të ulëta, duke u bërë kështu hero për të varfërit e Venezuelës.
Mik politik ka pasur ish-udhëheqësin libian, Muammar Qaddafi. Duke folur në vitin 2009 së bashku me të, Chavez ka thënë se ata dy ndajnë një vizion të përbashkët.
“Jemi të vetëdijshëm për faktin se jemi duke shkruar një faqe të re të historisë. Ne jemi duke ndryshuar historinë, duke u konfrontuar me imperializmin, borgjezinë, moszhvillimin…”, ka thënë Chavez.
Gjatë sundimit të tij, marrëdhëniet midis Venezuelës dhe Shteteve të Bashkuara kanë qenë të tendosura. Si kritik i ndërhyrjes së SHBA-së në Irak, Chavez e ka quajtur “djall” presidentin George Ë. Bush, gjatë një fjalimi në Kombet e Bashkuara më 2006.
“Dje, djalli ka ardhur këtu. Drejt e këtu. Zonja dhe zotërinj, nga kjo tribunë, presidenti i Shteteve të Bashkuara, të cilit unë i referohem si djall, ka folur sikur të kishte në pronësi botën”, ka thënë Chavez.
Duke u bërë aleat me kritikë të tjerë të SHBA-së, të tillë si Vladimir Putini i Rusisë, Chavez ka udhëhequr përpjekjet për të bashkuar liderët e majtë të Amerikës Latine në një Union të Vendeve të Amerikës Jugore.
Chavez ishte kthyer muajin e kaluar në Karakas, pas operacionit të katërt nga kanceri në Kubë dhe pas më shumë se dy muaj qëndrimi në një spital në Havanë.
Përveç disa foto të publikuara së fundmi nga qeveria, Chavez nuk është parë ose dëgjuar publikisht që para operacionit të fundit, më 11 dhjetor, 2012.
Chavez ka udhëhequr Venezuelën që në vitin 1999. Për mandatin e dytë është zgjedhur më 2006, ndërsa për të tretin në tetor të 2012-ës. Sipas ligjit në Venezuelë, zgjedhjet e reja tani duhet të mbahen brenda 30 ditësh.
Presidenti i ndjerë Hugo Chavez ka lënë gruan dhe pesë fëmijë.