Pafajësia e organizatës “Hakmarrja për Drejtësi”, e akuzuar për vrasje, vjedhje me dhunë, rrëmbime, vjedhje bankash, vjedhje me pasojë vdekjen etj., është produkt i një vendimi, i firmosur nga 9 gjyqtarë, shtatë prej të cilëve të promovuar dhe të emëruar nga Partia Demokratike, pra nga ish-kryeministri Sali Berisha.
Edhe pse Berisha akuzon sot kundërshtarët e tij politikë se janë angazhuar për pafajësinë e organizatës, kjo e fundit u çlirua nga të gjitha akuzat falë një vendimi, i firmosur nga gjyqtarë, të cilët konsiderohen si të Partisë Demokratike.
Bëhet fjalë për vendimin e Gjykatës Kushtetuese, Nr. 47, datë 7.11.2011, e cila pranoi kërkesën e Orik Shytit për rrëzimin e të gjitha procedurave dhe vendimeve kundër grupit “Hakmarrja për Drejtësi”, për vite me radhë, duke kthyer mbrapsht për rishqyrtim dosjen penale.
Është ky vendim, i cili detyroi më pas Gjykatën e Lartë për shqyrtimin e pretendimeve për shkelje të procedurave nga Gjykata e Shkallës së Parë dhe e Apelit. Në bazë të vendimit të Kushtetueses, Gjykata e Lartë, ktheu çështjen për rishqyrtim në Gjykatën e Apelit të Krimeve të Rënda, ndërsa kjo e fundit i shpalli të akuzuarit të pafajshëm.
Udhën e pafajësisë për organizatën e hapën gjyqtarët Bashkim Dedja, Vladimir Kristo, Xhezair Zaganjori, Vitore Tusha, Altina Xhoxhaj, Petrit Plloçi, Sokol Berberi, Admir Thanza dhe Sokol Sadushi. Shtatë nga nëntë anëtarët janë emëruar nga PD në harkun kohor nga 2007-a deri në vitin 2013, kur Berisha u rrëzua nga pushteti.
Sokol Sadushi dhe Petrit Plloçi janë dy anëtarët e vetëm, të cilët janë emëruar në Gjykatën Kushtetuese, para ndryshimit të pushtetit në vitin 2005. Ndërkaq, edhe gjyqtarët e Krimeve të Rënda, të cilët firmosën pafajësinë disa ditë më parë, janë zgjedhur me short nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë, në vitin 2016.
Argumentet e gjykatës
Janë dy argumente të gjykatës, të cilat kanë rikthyer për rishqyrtim dosjen penale të organizatës së quajtur “Hakmarrja për Drejtësi”. Argumentet kanë të bëjnë me shkeljen e afateve dhe gjykimin e paanshëm. Konkretisht, Gjykata Kushtetuese ka dalë në konkluzionin se kërkuesit Orik Shytit, në kuptim të garantimit të së drejtës për një proces të rregullt ligjor, i është cenuar e drejta për gjykim brenda një afati të arsyeshëm dhe e drejta për t’u gjykuar nga një gjykatë e paanshme.
Gjykata ka nënvizuar se sjellja e organit procedues në tërësi ka shkaktuar vonesa në gjykimin e dosjes së organizatës.
“Në vijim të arsyetimit të mësipërm, në çështjen objekt shqyrtimi, Gjykata vlerëson se kompleksiteti i çështjes, sjellja e organit procedues dhe e kërkuesit janë bërë shkak për zgjatjen e procesit gjyqësor tej afateve të arsyeshme”, thuhet në vendimin e gjykatës.
Po ashtu, gjykata ka mbështetur pretendimin e Shytit se i është cenuar e drejta për t’u gjykuar nga një gjykatë e paanshme, pasi kryesuesi i Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë ka qenë Zëvendësprokuror i Përgjithshëm në kohën kur kërkuesi procedohej penalisht. Nga ana tjetër, gjykata ka rrëzuar pretendimin e kërkuesit se është gjykuar dy herë për të njëjtat vepra penale, por kanë mjaftuar dy pretendimet e para që dosja të rikthehej për rishqyrtim.
Prapaskenat
Pafajësia e organizatës “Hakmarrja për Drejtësi” është produkt i një vendimi, i firmosur nga 9 gjyqtarë, shtatë prej të cilëve të promovuar dhe të emëruar nga Partia Demokratike, pra nga ish-kryeministri Sali Berisha.
Emërimi
Shtatë nga nëntë anëtarët janë emëruar nga PD në harkun kohor nga 2007 deri në vitin 2013, kur Berisha u rrëzua nga pushteti. Vetëm Sokol Sadushi dhe Petrit Plloçi janë emëruar në Gjykatën Kushtetuese, para ndryshimit të pushtetit në vitin 2005.
Gjyqtarët që rrëzuan vendimet kundër organizatës Gjykata Kushtetuese
Bashkim Dedja, i emëruar në maj të 2010-s nga Partia Demokratike
Vladimir Kristo, i emëruar në prill të 2007-s nga Partia Demokratike
Xhezair Zaganjori, i emëruar në mars të 2013-s, nga Gjykata Kushtetuese në Gjykatën e Lartë nga Partia Demokratike
Altina Xhoxhaj, e emëruar në maj 2010 nga Partia Demokratike
Vitore Tusha, e emëruar në 2008-n nga Partia Demokratike
Sokol Berberi, i emëruar në prill të 2007-s nga Partia Demokratike
Admir Thanza, i emëruar në vitin 2009 nga Partia Demokratike, në 2013-n në Gjykatën e Lartë
Sokol Sadushi, i emëruar në ’98-n
Petrit Plloçi, i emëruar në vitin 2001
Përfundimet e Gjykatës Kushtetuese
Pavarësisht se vonesat, që i atribuohen organit procedues, kanë ndodhur për shkaqe objektive dhe hapësirat legjislative kanë lejuar rishqyrtimin e çështjes, në çmuarjen e Gjykatës, zvarritja e procesit nga autoritetet shtetërore është e pajustifikueshme. Gjykata arrin në përfundimin se pretendimi i kërkuesit për cenimin e të drejtës së tij për një proces të rregullt ligjor, në drejtim të së drejtës për t’u gjykuar brenda një afati të arsyeshëm, është i bazuar.
Nga materialet e paraqitura evidentohet se Kryetari i Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, në cilësinë e Zëvendësprokurorit të Përgjithshëm, ka firmosur disa shkresa që kanë lidhje me procedimin penal ndaj kërkuesit. Më konkretisht, në shkresën nr.1392, datë 25.10.1196, drejtuar grupit të hetimit të çështjes penale në ngarkim të grupit “Hakmarrja shqiptare e drejtësisë”, përcaktohet procedura që duhet ndjekur lidhur me shpalljen e kërkimit ndërkombëtar për persona të kategorisë “shumë të kërkuar”. Në çështjen konkrete, Gjykata konstaton se përfshirja e gjyqtarit në procesin penal ndaj kërkuesit, kur ai ka ushtruar rolin e Zëvendësprokurorit të Përgjithshëm, nuk ka qenë e papërfillshme ndaj dhe dyshimi i kërkuesit është i bazuar nga ana objektive. Për rrjedhojë, ky pretendim i kërkuesit, që lidhet me besueshmërinë e gjykatës për të qenë objektivisht e paanshme, duhet pranuar.
Akuzat ndaj organizatës
Vrasje e shtetasit Bujar Kaloshi
Vjedhje me pasojë vdekjen të shtetasit Pirro Konini
Vjedhje me pasojë vdekjen të shtetasit Sami Jata
Vrasje me dashje të Muhamet Karamanit në lidhje me një krim tjetër
Vrasje me dashje të Hasim Karamanit në lidhje me një krim tjetër
Vrasje me dashje të Vait Osmanit në lidhje me një krim tjetër
Vrasje me dashje të Vera Dumes në lidhje me një krim tjetër
Vrasje e mbetur në tentativë në dëm të shtetasit Eduart Trimi
Vjedhje me armë në dëm të firmës “Vefa”
Vjedhje me armë në dëm të BKT Vlorë
Vjedhje me dhunë të argjendarisë “Agron”
Vjedhje me dhunë në dëm të shoqërisë “IAP”
Vjedhje me dhunë në dëm të shoqërisë “Albfoam”
Vjedhje me dhunë të Ndërmarrjes së Lëndëve Djegëse
Vjedhje me dhunë të “Shkumbin Petrol”
Rrëmbim të fëmijës Erion Nushi
Falsifikim i dokumenteve
Falsifikim i letërnjoftimeve, pasaportave ose vizave
Vjedhjen e bankave dhe arkave të kursimit





