Shtatë të rinj, nxënës të shkollës “Mihal Ekonomi” morën pjesë në projektin ndërkombëtar “Strength within You(th)”, një shkëmbim kulturor mes të rinjve nga Shqipëria, Spanja, Portugalia dhe Suedia, i zhvilluar në Piedralaves, në Spanjë.

Pjesëmarrja e tyre u realizua përmes organizatës rinore Empowered Youth Network (EYN) në Durrës.

“Mora një ftesë zyrtare nga një organizatë në Spanjë për të bërë një shkëmbim rinor për 10 ditë. Unë faktikisht kam qenë vetë nxënëse e shkollës “Mihal Ekonomi” dhe për këtë arsye vendosa që në këtë projekt të përfshija nxënësit e shkollës sime. Kanë qenë 9 të rinj, të cilët u angazhuan në mënyra të ndryshme duke u nisur nga e folura në publik, aktivitete jo formale aktivitete në natyrë. Gjithsecili ka dhënë kontributin e vet qoftë në organizimin e aktiviteteve, por edhe në shprehjen e vetes së tyre”,– tha për “DurrësLajm” drejtuesja e qendrës EYN, Helena Ceka.

Joan Leka, Darsi Prodani, Kristel Tabaku, Alisa Dervishi, Anja Canaj, Emi Deliu dhe Kledia Velaj, së bashku me 2 bashkëmoshatarë të tjerë të tyre, Resilian Baku dhe Aron Zela, përfaqësuan veten, aktivizmin e tyre dhe vlerat, që përçojnë si pjesë e një komuniteti të angazhuar rinor dhe sot treguan para bashkëmoshatarëve të tyre shumëçka nga eksperienca e ditëve të kaluara në Spanjë.

Një eksperiencë kjo që i ndihmoi të zbulojnë më shumë për veten, të forcojnë vetëbesimin dhe aftësitë komunikuese dhe të ndihen më të përgatitur për sfidat që sjell e ardhmja.

Gjatë kësaj aventure të paharrueshme, ata morën pjesë në aktivitete edukative e krijuese, diskutuan mbi çështje të rëndësishme për rininë me fokus te shëndeti mendor dhe mirëqenia ndanë kultura dhe përvoja personale si dhe ndërtuan ura miqësie që kapërcejnë kufijtë.