Gjykata e Krujës vendosi sot rikthimin në punë të dy policëve të pezulluar më 7 shkurt nga Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, ndërsa la në fuqi kërkesën e prokurorisë për 5 te tjerët, të cilët u pezulluan me vendim gjykate.
Muharrem Celami dhe Kadri Daci janë dy prej policëve që u pezulluan nga detyra pas dyshimeve për shpërdorim detyre.
SHÇBA pas një hetimi disa mujor pezulloi 7 policë me akuzën se kishin favorizuar kultivimin e kanabisit, ndërtimet pa leje, kishin manipuluar apo fshehur ngjarje kriminale, kishin penguar zbulimin e fakteve dhe të vërtetës apo nuk kishin raportuar fare këto ngjarje.
Muharrem Celami dhe Kadri Daci, kanë të dy detyrën e ndihmës/specialistit për rendin në komisariatin e policisë Krujë.
4 ditë më parë, ShÇBA ndaloi 7 policë, në kuadër të operacionit “Abuzuesit 2”. Mbështetur në provat dhe faktet e grumbulluara, Gjykata e Krujës caktoi fillimisht masat e sigurimit personal “Pezullim nga detyra” dhe “Ndalim i daljes jashtë shtetit”, për:
– Xh.B., punonjës i Patrullës së Përgjithshme;
– S.D., Ndihmës/specialist për Rendin;
– M.C., Ndihmës/specialist për Rendin;
– N.S., Ndihmës/specialist për Rendin;
– K.D., Ndihmës/specialist për Rendin;
– D.S., Ndihmës/specialist për Rendin;
– F.B., punonjës i Patrullës së Përgjithshme.





