7 banorë të Astirit të cilët protestojnë çdo mbrëmje në zonën e Unazës së Re janë shoqëruar mbrëmjen e sotme në Drejtorinë e Policisë së Tiranës. Mësohet se shoqërimi i tyre është bërë menjëherë pas përfundimit të protestës së ditës së martë. Nuk dihet arsyeja e shoqërimit të tyre.
Mësohet se banorët e kësaj zone janë duke u mbledhur në këto momente përpara Drejtorisë së Policisë. Aty priten të shkojnë edhe përfaqësues të opozitës. Prej ditësh flitej se policia po tentonte “të godiste” protestën e Astirit. Edhe shkarkimi i drejtorit të Policisë së Tiranës para pak ditësh dyshohet se ka lidhje me këtë çështje.
Aktualisht në qelitë e paraburgimit krahas personave të ndaluar në mbrëmjen e sotme janë edhe protestues të tjerë të ndaluar në protestat e mëhershme të cilët janë lënë në burg pa afat.





