Shtatë persona kanë gjetur vdekjen në Turqi nga tërmeti me magnitudë 5.7 të shkallës Rihter, që goditi vendin mëngjesin e sotëm. Epiqendra e lëkundjes sizmike ishte në kufi me Iranin.
Tërmeti goditi qytetin iranian të Khoy dhe preku fshatrat në provincën turke të Van, raportojnë zyrtarët vendorë, bën të ditur Daily Mail.
Ministri i Brendshëm turk Suleiman Soylu tha në një konferencë shtypi në Ankara se tre fëmijë dhe katër të rritur u vranë në rajonin Baskule të Turqisë.
Pesë persona kanë mbetur të plagosur dhe janë dërguar në spital, ndërsa të tjerët mbetën të bllokuar nën rrënojat e ndërtesave të shkatërruara, shtoi ministri Soylu.
Ekipet e urgjencës janë dërguar në rajonin malor.





