Shërbimet e emergjencës raportojnë një situatë të rënduar zjarresh në mbarë vendin, me 38 vatra të identifikuara gjatë 24 orëve të fundit. 31 prej tyre janë shuar, ndërsa 7 vijojnë ende aktive, kryesisht në zona të vështira malore dhe me terren të thyer.
Sipas dhënave më të fundit, zjarret në jug të vendit rezultojnë të jenë më problematikët. Konkretisht, situata më e rënduar paraqitet në qarkun e Vlorës, veçanërisht në bashkinë Finiq. Për shkak të përhapjes së zjarreve në afërsi të zonave të banuara, janë evakuuar 51 familje nga fshatrat Velahovë dhe Livinë, pa dëme në njerëz.
Vatrat aktive mbi fshatin Hardhasov po përhapen drejt Navaricës dhe fshatrave Fitore e Krane, ndërsa ndërhyrja ajrore me helikopterë të FA dhe avionin Canadair kroat po vijon për neutralizimin e flakëve.
Operacionet për përballimin e flakëve po zhvillohen edhe mbi fshatrat Bistricë, Dhrovjan dhe Krongj, ku për shkak të terrenit të thyer ndërhyrja është e vështirë.
Në Bolene të bashkisë Himarë, një vatër po djeg një pyll me pisha. Në terren janë forcat e zjarrfikëses së Himarës dhe Vlorës, të mbështetura edhe nga 20 trupa të Forcave të Armatosura.
Situata e zjarreve sipas qarqeve
Vlorë
Në bashkinë Finiq, forcat kanë punuar gjatë gjithë natës dhe vijojnë ende, për shkak të situatës. Për të siguruar jetën e banorëve, u evakuuan 15 familje nga fshati Velahovë dhe 36 familje nga fshati Livinë, pa probleme apo lëndime. Në mbështetje shkuan edhe 3 autoambulanca të Urgjencës Mjekësore. Ditën e sotme situata vazhdon të jetë problematike. Konkretisht: vatra mbi fshatin Hardhasov në bazë dhe të erës është problematike për në drejtim jugor për në Navaricë si dhe në drejtimin perëndimor të fshatrave Fitore dhe Krane. Në vatrën e zjarrit mbi fshatin Bistricë po operohet me mjete nga MZSH dhe efektivë të FA. Gjithashtu vazhdon me intensitet puna për shuarjen e vatrës mbi fshatin Dhrovjan dhe Krongj. Vatrat e sipërpërmendura kanë shtrirje të madhe dhe në terren të thyer, çka pengon operimin me mjete. Për këto arsye u kërkua edhe mbështetje nga ajri me helikopter. Momentalisht në terren po operojnë: 37 forca zjarrfikëse me 6 automjete zjarrfikëse të bashkive Finiq, Sarandë, Konispol dhe Delvinë; 20 forca policore, 30 forca bashkiake dhe vullnetare; 28 efektivë me 4 automjete zjarrfikëse, 1 autoambulancë dhe 1 autobot, 60 trupa dhe 1 helikopter i FA. Në terren në fshatin Dhrovjan po operon edhe avioni kroat Canadair.
* Në vendin e quajtur “Rëzom”, në afërsi të Tunelit të Skërficës, te maja e Lucës, ku rrezikohen sipërfaqe pyjore me bredh dhe shkurre. Për shkak të terrenit të thyer është e vështirë të operohet me mjete nga toka. Ditën e sotme do kryhet ndërhyrje me inspektorët e AdZM.
* Në fshatin Bolenë, Njësia administrative Horë-Vranisht, bashkia Himarë, ku vatra e zjarrit po zhvillohet në pyll me pisha. Në terren janë duke operuar forcat e MZSH së Himarës me 2 mjete zjarrfikëse, si dhe forcat e MZSH së Vlorës me 1 mjet zjarrfikës, banorë të zonës etj. Në mbështetje të strukturave vendore, në terren kanë shkuar edhe 20 efektivë nga FA.
Lezhë – Fshatin Malaj i Epërm, njësia administrative Rrëshen, bashkia Mirditë, ku zjarri është aktiv në sipërfaqe pyjore me pisha, lis dhe shkurre, në lagjen “Vjollcë”. Vatra e zjarrit është nën kontroll të plotë dhe sot do të punohet me 2 mjete zjarrfikëse, 6 Forca nga MZSH, 6 Forca nga shërbimi pyjor, 5 nga njësia administrative dhe 2 forca vullnetare.
Dibër- Malin e Allushit, në afërsitë fshatit Plani Bardhë, bashkia Klos, vatra e zjarrit është nën kontroll dhe po monitorohet nga 6 forca të MZSH dhe 1 mjet, për të mos patur zhvillime nga zjarri aktiv brenda vatrës ku akoma po digjen trungje.
Berat- Në bashkinë Poliçan, jashtë territorit të Uzinës Mekanike, në një sipërfaqe me shkurre dhe ullishte. Zjarri është nën kontroll që prej mbrëmjes së djeshme dhe ditën e sotme janë angazhuar 15 forca zjarrfikëse të MZSH Poliçan.
Shkodër -Fshatin Zagore, njësia administrative Shkrel, bashkia Malësi e Madhe po punohet në terren të vështirë për shuarjen e zjarrit në një sipërfaqe me shkurre dhe barishte.
Në operacionet për shuarjen e zjarreve u angazhuan 66 automjete zjarrfikëse dhe 760 forca operacionale, të ndihmuar nga FA me 183 forca ushtarake, 3 automjete zjarrfikëse dhe 3 helikopterë të FA. Gjithashtu morën pjesë edhe 2 avionë Canadair nga Kroacia dhe Italia.





