Operacionet për shuarjen e zjarreve kanë vijuar edhe gjatë 24 orëve të fundit, me angazhimin e 84 punonjësve zjarrfikës, 17 automjeteve zjarrfikëse, 90 pjesëtarë nga Forcat e Armatosura, punonjës vullnetarë, si dhe punonjës të Drejtorisë së Pyjores dhe asaj të Zonave të Mbrojtura.
Në vend janë shënuar 7 vatra zjarri në disa qarqe, ku është dashur edhe mbështetja e helikopterëve, si dhe dy avionëve të vegjël të ardhur nga Greqia, veçanërisht në Llogora.
Specialistët e Emergjencave Civile janë duke mbajtur situatën në monitorim të vazhdueshëm në të gjithë vendin. Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile përsërit thirrjen ndaj të gjithë qytetarëve, që në rast se konstatojnë zjarre të njoftojnë menjëherë në numrat e emergjencave 112, 129 dhe 128.





