Nga BUJAR QESJA
Jehona e një 70-të vjetori, meriton të mos shuhet lehtë, të paktën në formatin e këtyre shkrimeve. Të plotësojmë me sa mundemi, vakumin që u krijua në 11 janarin e 2023-shit. Në kohën që përgatisin për çdo ditë këto shkrime përkujtuese, arsyetimi mbetet ngacmues në një pikë.
Nëse bindemi se në një pasdite, nuk mund të thuash ato që kanë ndodhur në 70-të vite jetë të teatrit “A. Moisiu”, atëhere përse përkujtimi të mos shtrihej në harkun kohor të disa ditëve?! Mund të titullohej “Java e 70-të vjetorit të Teatrit”. Ndaheshin tematikat në ditë të veçanta, ku kujtohen të gjithë ato, që bënë historinë e madhe, të pasur dhe të paharruar të njërit prej teatrove më cilësore të Shqipërisë.
Jemi tek vazhdimi i jehonës. Duke çfletuar, kërkuar, studiuar, hulumtuar faqe të historisë, arrijmë mbase papritur, në pohimin e një rasti unikal që ndodh me teatrin tonë. Janë 6-të çifte bashkëshortësh, që kronologjia e jetës së aktrimit, i arkivon në atë që quhet historia e teatrit. Nuk besoj, se mund të mos jem i saktë këtu.
S’ka teatër në këtë tokën tonë, që të ketë çifte bashkëshortësh mbi këtë shifër, për të na e thyer këtë rekord të merituar. Folëm në një rast për çiftet Xhoja (Nikolini dhe Meropi) dhe Urumi (Spiro dhe Vera) dhe tani ndërtojmë shkrimin mbi të përmëndurit konçiz të katër çifteve të tjera. Ata janë Panajot dhe Rexhina Kolo, Zef dhe Filika Ujkaj, Xhevdet dhe Rozeta Ferri, Xhemal dhe Dhurata Sefa.
Detyrim t’i kujtojmë këta fisnikë, që populli i don, i ka durtaroktiur dhe me siguri gëzohet kur ia çfaq sërish.
PANAJOT KOLO
Lindi në Gjirokastër, në lagjen e famshme Palorto me 12 tetor 1928. Me kujdesin e nënës së tij, të apasionuarën pas artit dhe kulturës Aspasinë, në moshën 20 vjeçare shkon të studiojë për regjisurë në Universitetin e njohur “Karpenko” në Kiev.
Pesë vite (1948-1953) pranë dramaturgjisë hipnotizuese sovjetike. Ishte fat për teatrin e Durrësit, që foshnja e sapo lindur me 11 janar 1953, pati “mami” profesioniste, përgatitur në “maternitetin” e dramës së fuqishme sovjetike me autorë me mjekër si Çehovi, Gorki, Tolstoi, Bulgakovi, Ostrovski, Gogoli, Pushkini, Majakovski etj. Ky ishte Panajot Kolo.
Çfarë regjisori! Çfarë talenti në komunikim dhe në atë që quhet përgatitja dramatike e aktorit! Pas “Nderit të Familjes” që është premiera e parë e Kolos, vjen komedia e famshme e Gogolit “Martesa”. Mbetet kjo komedi nga majat që arriti teatri “A. Moisiu”. Perlat e aktorëve durrsakë si Nikolin Xhoja, Vangjel Heba, Spiro Urumi, Vera Urumi, Teodor Rupi etj. patën fatin e madh se punuan dhe dolën në pah, nga regjisori mjeshtër Panajot Kolo.
Pano zotëronte katër gjuhë të huaja: rusisht, serbo kroatisht, italisht dhe greqisht. Ndahet nga jeta me 13 dhjetor 2006. I biri Robert Kola, na gëzoi pa masë që banesën e përjetësisë së Panos e vendosi në Durrës.
REXHINA KOLO
Bashkëshortja e Panos për shumë koh, ishte Rexhina Shiroka. Aktore klasi dhe me vlera të plota. Xhina u lind me 12 maj 1933 në Durrës. Së bashku me Meropi Xhojën, Semniha Ishmin, Ferial Alibalin, Bernardina Qerraxhinë, Margarita Gallanin, Vera Urumin, Marta Burdën, Terezina Demën, mbetet nga të parat aktore të krijimit të teatrit.
Realizimet e saj artistike, janë të fiksuara në memorien e pasionantëve të skenës. Pa dashur të vendosim dorën në zjarr, me siguri që Rexhina Kolo është e vetmja që jeton nga koleget e saj të krijimit. Banon në familjen e djalit Alfredit, në Manopoli të Barit-Itali. Me 12 maj 2023, është në 90-të vjetorin e lindjes. Mbetet në gjendje shëndetësore problematike.
ZEF UJKAJ
16 mars 1936, është ditëlindja e skenografit dhe piktorit të njohur Zef Ujkaj. Ky burrë zotni i dha historisë së teatrit, mjeshtërinë dhe talentin. Vuajti shumë në atë sistem ngacmues, ku u luajt “bixhoz” me biografitë e njerëzve. Me meritë në vitin 1960 ofrohet si skenograf në Teatrin “A. Moisiu”, që mbeten vite të shkëlqimit të skenografisë.
Emri i Zef Ujkës, u bë i njohur më parë si piktor, punime që mbeten dukshëm të realizuara artistikisht. Konceptet e dekoreve të Zef Ujkës, dallojnë për fantazi të njeriut të formuar, me nivel dhe arritje kulturore. Punoi në kavalet, në hekur, në gurë dhe mjesstria e tij veçse avancohej.
Në vitin 1974 dërgohet në Parkun Automobilistik të Mallrave, me etiketimin rutinë “njollë në biografi”. E kam njohur nga afër Zef Ujkën. Kemi biseduar mjaft herë, në atë dhomën me bojra të Parkut. Oh, çfarë njeriu i mrekullueshëm! Lidhja martesore me aktoren Filika Dimo, u mirprit nga opinioni. Nuk ia dëgjojmë frymëmarrjen nga 18 janari i vitit 1990. Shumë i ri na iku Zefi ynë. Vetëm 54 vjeç.
FILIKA UJKAJ
Ishte 1 gushti i vitit 1939, ku në familjen Dimo u dëgjuan të qarat e një vajze. Kjo do të ishte artistja e ardhshme e skenës së Teatrit “A. Moisiu” Filika Dimo. Më pas mori mbiemrin Ujkaj, nga krijimi i familjes së re me skenografin dhe piktorin e spikatur Zef Ujkaj. Filika luajti në teatër dhe në kinematografi.
E nisi rrugën e aktrimit në Teatrin Popullor. Në vitin 1959, debutoi në filmin “Furtuna” në rolin e Shpresës. Luajti katër të tilla më pas. Dhe pjesën më të madhe të kohës, e konsumoi në teatër, duke aktruar përkrah të çquarve të skenës durrsake si Nikolin Xhoja, Kadri Pirro, Spiro Urumi, Marta Burda, Lazër Vlashi, Gaqo Spiru etj.
Goditja klasore ra edhe mbi këtë talente të skenës. U largua me lotë në sy e brengë në shpirt në vitin 1975. Lamtumira e saj ndodhi me 21 tetor 2021. Varri i Filika Ujkës ndodhet në Bruksel të Belgjikës, pranë familjeve të fëmijve ku kishin emigruar prej vitesh.
XHEVDET FERRI
Pjesë e aktorëve të njohur të skenës durrsake. I talentuar që i ri, duke nisur debutimin në filmat artistikë shqiptarë. Mbaroi Akademinë e Arteve në Tiranë dhe vjen në Durrës. Lindi këtu me 26 nëntor 1960. Interpretoi 30 role në kinematografi, duke qenë në shumicën prej tyre protogonistë dhe jo pak role edhe në teatër.
Disa vite drejtor në Teatrin Kombëtar dhe punoi si pedagog në Akademinë e Arteve. 16 janari i vitit 2020, do të ishte fatale për Xhevdet Ferrin. Është dita e ndarjes nga ne. Iu çfaq një sëmundje e papritur, duke lënë në pikëllim familjen, miqtë dhe shokët. I ri iku nga jeta, po gjithnjë i ri do të mbetet në memorie.
ROZETA FERRI
Bashkëshortja e Xhodës tonë. Aktorja vlonjate, u lind me 29 mars 1961. Në këto kushte teatri i Durrësit, rregjistroi në arkivën edhe dyshen e aktorëve Xhevdet dhe Rozeta Ferri. Me transferimin e të shoqit në Tiranë, karriera e Rozetës lidhet me kryeqytetin. Luan disa role në kinematografi dhe largohet nga aktrimi, duke u marrë me angazhime të tjera të sferës së kulturës dhe artit.
XHEMAL SEFA
Aktor dhe asistent regjisor në Teatrin “A. Moisiu”. Pas viteve 90-të, emigroi në Itali në provincën e Treviglios, së bashku me familjen, por nuk u nda asnjëherë nga vendlindja. Vinte shpesh në Durrës, duke u angazhuar edhe si kritik teatri. U lind në Durrës me 21 shkurt 1945. Në vitin 1967, mbaroi studimet e larta në Akademinë e Arteve. Veçohet sidomos prezantimi i tij i suksesshëm në pjesën “Ylli pa emër” , si dhe në filmin me metrazh të shkurtër “Plaku dhe Hasmi”.
Më ka mbetur në kujtesë një thënie e tij, mbase edhe me natyrë profetike. Është koha kur u largua nga jeta kasta e florinjtë e aktrimit durrsak dhe sidomos pas viteve 90-të, ku teatri u dëmtua jo pak.
“Teatri nuk do të jetë më kështu”.
I dhimbshëm largim nga jeta. Kur ndodhej në Durrës, shtrohet papritur në spital i prekur nga Covid 19. Mjeku i urgjencës Ferid Domi, kujton këtë moment të fundit të jetës së aktorit Xhemal Sefa.
“O Rido jam keq, po iki…”. Dita e dhimbjes së madhe, vjen me 22 gusht 2020.
DHURATA SEFA
Aktore në trupën profesioniste të Teatrit të Durrësit “A. Moisiu”. Mbaroi Akademinë e Arteve për aktrim. Teatri i bëri bashkë me kolegun e saj Xhemal Sefa, duke gëzuar lumturinë e një familje të shëndoshë. Është lindur në Shijak me 3 shkurt 1956, me mbiemrin e vajzërisë Gedaj. Është pjesë e historisë 70-të vjeçare të teatrit. Jeton në Itali me dhimbjen e pashuar për humbjen e Xhemalit, por me gëzimin që të japin nipërit dhe mbesat.
Këto ishin tetë artistë të skenës durrsake të teatrit, të ndarë në katër çifte. Kjo ishte në vija të përgjithshme historia e tyre personale e aktrimit, pjesë përbërëse e historisë së teatrit “A. Moisiu”. Përmbushëm një detyrim. Të tjera na presin. Ndjehemi më të lehtësuar, për shlyerjen e borxhit që i kemi në këtë 70-të vjetor.
Edhe në parajsë, ato do të ndjehen më të paqtë në përjetësinë e tyre.