Itali, 10 mars 2014 – Duket e çuditshme, por ka ndodhur vërtet. Një e moshuar, as më pak e as më shumë se 70 vjeç, ka hyrë paraditen e sotme në një bankë në qytetin e Pratos në Itali dhe ka arritur të vjedhë sasinë e parave që ndodheshin në kasë.
Ajo që e bën edhe më interesante ngjarjen është fakti se e moshuara ka hyrë e pa maskuar. Sipas dëshmitarëve që kanë qenë në bankë në momentin e grabitjes, e moshuara ka marrë në dorë edhe një mjet prerës për t’iu dukur edhe më e frikshme kasierit që i kërkoi të dorëzonte gjithë shumën e parave që kishte në kasë.
Mësohet se e moshuara ka arritur të grabisë 4000 euro dhe për momentin ka arritur t’i mbathë pa u kapur nga policia. Megjithëse gruaja nuk ka qenë e mbuluar në fytyrë, karabinierët ende nuk kanë rënë në gjurmët e saj.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





